
Në Kishën Shën Lucia në Durrës, u shfaq për herë të parë një opera dhome shqiptare, vepër e krijuar nga kompozitori Red Radoja.
“Ëndrra e Gotfridit”, me muzikë dhe libret nga vetë autori, u ngjit në skenë në kuadër të edicionit të 20-të të Festivalit Ndërkombëtar të Muzikës së Dhomës.
Radoja, që prej vitesh jeton dhe krijon në Francë, e ka shkruar operën fillimisht në frëngjisht. Tani ajo vjen në versionin shqip, si një premierë e veçantë për skenën shqiptare, ku muzika klasike, motivet shqiptare, ëndrra dhe realiteti ndërthuren në një akt të vetëm.
Në role u ngjitën emra të njohur të skenës lirike, tenori Neron Kacerja, mezzo-sopranoja Anita Kërhani dhe bas-baritoni Hektor Leka. Vepra u shoqërua nga një kuartet instrumental i drejtuar në piano nga vetë autori.
“Ëndrra e Gotfridit” u mirëprit nga publiku dhe u përjetua si një moment i veçantë artistik, që bashkon krijimtarinë shqiptare me standardet evropiane të muzikës së dhomës.
Top Channel