
“Shqipëria, mes kryqit dhe gjysmëhënës” është libri i Werner Daum kushtuar Shqipërisë që pa dritën e botimit më 1998.
Një album me foto të veçanta dhe qëndrime nga profesionistë të fushave të ndryshme, që portretizuan në sytë e një të huaji historinë, etnografinë, besimin, natyrën dhe kulturën e vendit tonë. Mjeshtri i Madh Bashkim Zeneli, diplomat karriere, e vlerëson këtë libër si shumë të rrallë që meriton të përkthehet.
“Ka ditur të zgjedhë emra të mëdhenj të kulturës shqiptare. Historia e gjuhës, kohët e hershme deri në ditët që ai ishte në detyrë. Është një libër i rrallë që më vjen keq që nuk është përkthyer në disa gjuhë. I ka vënë detyrë vetes të përmbledhë historinë e Shqipërisë, kulturën, letërsinë, traditën dhe ia ka arritur”, thotë Zeneli.
Ndër faqet e para të këtij albumi janë foto të shkrepura në ambasadën gjermane në korrikun e vitit ’90. 3,199 shqiptarë u strehuan në ambasadën gjermane ku zoti Daum u angazhua maksimalisht për të shpëtuar jetën e tyre.
“Përjetoi çdo gjë: makinën që goditi ambasadën, nënat që u kishin hyrë fëmijët brenda”, shton diplomati.
Largimi nga Shqipëria si i ngarkuar me punë nuk ia ndali interesin për Shqipërinë. Diplomati Bashkim Zeneli tregon se Shqipëria ishte kryefjalë e çdo takimi dhe korrespondence mes tyre ndër vite.
“Kishte interes të mësonte sa më shumë. Kur takoheshim në Berlin apo kur më merrte në telefon, sa herë lexonte një gazetë për Shqipërinë. E donte Shqipërinë dhe kërkonte të dinte sa më shumë, sepse kështu bën kur e do një vend shumë”, përfundon Zeneli.
Ish-ambasadori i Gjermanisë në Tiranë, Werner Daum, ndërroi jetë tre ditë më parë gjatë një vizite në Shqipëri për shkaqe natyrore, duke mos realizuar projektin e tij të fundit për të hedhur në letër gjithë memorien e tij në lidhje me zhvillimet në Shqipëri në vitet ’90, ku ai ishte protagonist.
Top Channel