
Me tingujt e serenatave dhe artistë korçarë që iu rikthyen publikut për t’i dhuruar emocione, u mbyll MIK Festival në qytetin e Korçës.
E konceptuar si nata Retro Passion, mbrëmja u zhvillua në lulishten Themistokli Gërmenji. Zërat e artistëve, nën tingujt e kitarës dhe instrumentave të tjerë, u harmonizuan me gjithçka përreth dhe sollën një natë karakteristike korçare.
Për artistët pjesëmarrës, mes të cilëve disa që iu rikthyen skenës pas dekadash, por edhe të rinj që ruajnë këtë traditë, serenata korçare mbetet një aset i çmuar.
Për organizatoren Inva Mula, ky edicion i festivalit solli mbrëmje të veçanta dhe emocione të forta si për publikun ashtu edhe për artistët pjesëmarrës.
Me nostalgjinë e serenatave dhe emocionin e rikthimit në skenë, nata Retro Passion përmbylli me sukses edicionin e sivjetëm të MIK Festival. Një mbrëmje ku muzika, kujtimet dhe dashuria për Korçën u bënë një.
Top Channel