Ndërron jetë në Shqipëri diplomati gjerman që hapi dyert e ambasadës për shqiptarët! Intervista e fundit e ambasadorit Daum, nesër në Exclusive

12/07/2025 15:09

“E adhurova këtë vend, sepse është i mrekullueshëm. Por, ndoshta edhe më shumë, adhurova popullin e tij. Dhe e ndjeja, e perceptoja prej gati një viti, që nga fillimi i 1989-tës, se po piqeshin kushtet për një revolucion. Njerëzit kishin ndryshuar.

 Nuk kishin më frikë totale nga reagimi i regjimit. Gati çdo muaj e ndjeja gjithnjë e më shumë atë frymë rebelimi, atë dëshirë për të dalë nga shtypja. Dëshira për të jetuar të lirë, për të qenë të lirë të takoheshin me të tjerët, për të udhëtuar jashtë vendit, për të përmirësuar kushtet ekonomike – e gjitha kjo po rritej jo gradualisht, por me hapa gjigantë”.

Në intervistën e dhënë për Top Channel pak përpara se të ndërronte jetë në vendin me të cilin u lidh aq shumë shpirtërisht, ish ambasadori gjerman në Shqipëri, Werner Daum tregoi përjetimet e kohës kur në ditët e errëta të diktaturës komuniste, një rreze shprese u hap për shqiptarët.

5 mijë vetë mësynë 2 korrikun e vitit 1990  ambasadat e vendeve perëndimore në Tiranë. Pjesa dërrmuese e tyre, mbi 3.000 persona, arritën të hynin në ambasadën gjermane, ku Daum kishte udhëzuar stafin e tij që ta linte derën hapur.

Një studiues dhe diplomat në pension, profesor doktor Werner Daum Profesor në Universitetin e Pavias dhe bashkëpunëtor shkencor i Universitetit prestigjoz të Harvardit, ka ndërruar jetë si pasojë e një ataku kardiak pak ditë pas mbërritjes në vendin tonë me ftese të Universitetit Europian të Tiranës, ku risolli në kujtesë më dëshmitë e tij të rralla ngjarjat që sollën fillimin e fundit të regjimit komunist.

Intervistën e tij të plotë Për Top Channel mund ta ndiqni këtë të dielë në orën 20 e 15 në Exclusive!

Top Channel