Emrat/ Ndërtoi pa leje në Voskopojë, arrestohet administratori i subjektit. Procedohen penalisht dy punonjës të IMT-së

12/07/2025 16:05

Është arrestuar shtetasi Ibrahim Kruja, administrator i një subjekti pasi ndërtoi pa leje në zonën e Voskopojës.

Po ashtu janë proceduar penalisht edhe dy punonjës të IMT-së së bashkisë Korçë, Ilir Lemillari dhe inspektori Emil Kafexhiu.

Kruja dyshohet se kishte ndërtuar pa leje disa bazamente betoni në aksin rrugor Korçë–Voskopojë, me qëllim ndërtimin e godinave, pa u pajisur me dokumentacionin përkatës.

Njoftimi:

Ndërtoi pa leje në zonën e Voskopojës, arrestohet administratori i subjektit. Procedohen penalisht 2 punonjës të IMT-së së Bashkisë Korçë. Pezullohen dhe procedohen disiplinarisht disa efektivë të Policisë së Shtetit.

Në zbatim të detyrave të dhëna nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, për kontroll të imtësishëm të territorit me qëllim evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive, strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë, bazuar në informacion të siguruar në rrugë operative, arrestuan në flagrancë shtetasin Ibrahim Kruja, 63 vjeç, administrator i një subjekti privat.

Ky shtetas dyshohet se kishte ndërtuar pa leje disa bazamente betoni në aksin rrugor Korçë–Voskopojë, me qëllim ndërtimin e godinave, pa u pajisur me dokumentacionin përkatës.

Gjithashtu, janë proceduar penalisht shtetasit Idlir Lemillari dhe inspektori Emil Kafe, 36 vjeç, me detyrë Kryeinspektor dhe Inspektor në IMT-në e Bashkisë Korçë, të cilët dyshohet se kanë shpërdoruar detyrën duke mos kryer kontrollet përkatëse dhe duke mos njoftuar Policinë në kohën e duhur.

Në vijim të veprimeve, janë pezulluar nga detyra dhe ndaj tyre ka nisur ecuria e rëndë disiplinore për Inspektor A. B., me detyrë ndihmës/specialist i rendit (SPZ) dhe Nënkomisar E. P., me detyrë Specialist për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Korçë.

Njëkohësisht ka nisur ecuria e rëndë disiplinore për Nënkomisar P. B., me detyrë koordinator i ndihmës/specialistëve të rendit në zonë.

Ndërkohë, Drejtoria e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit po vijon hetimin e thelluar disiplinor për këtë rast.

Drejtoria Vendore e Policisë Korçë apelon për qytetarët që të mos ndërmarrin ndërtime pa leje dhe për administratorët apo pronarët e bizneseve që të mos zënë në mënyrë të paligjshme hapësirat publike, pasi do të përballen me ligjin.

Top Channel