Aksioni “spektakël” në Sarandë! I riu u hodh në det për t’i shpëtuar arrestimit të policisë, por… çanta në ujë e “tradhton”

12/07/2025 08:48

Zbardhen detaje të reja nga ngjarja e ndodhur mbrëmjen e djeshme në rrugën “Butrinti” në Sarandë, ku një person u hodh në det gjatë një aksioni policor.

Korrespondentja e Top Channel Kristina Fidhi bën me dije se pasi policia ndaloi një automjet luksoz tip Porsche Panamera, një nga personat që ndodhej në makinë u largua me vrap dhe u hodh në det, duke tentuar t’i shpëtonte ndalimit.

Pasi u hodh në ujë, ai braktisi një çantë që mbante me vete, e cila u gjet më pas nga policia në fund të detit. Brenda çantës u sekuestrua një armë zjarri.

Personi u kap pak minuta më vonë nga policia kufitare me ndihmën e një skafi dhe u nxor në shëtitore, e më pas u shoqërua drejt Komisariatit të Policisë Sarandë. Bashkë me të janë shoqëruar edhe tre persona të tjerë që ndodheshin në automjet, të gjithë me Tirana.

Policia po vijon hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe për të përcaktuar rolin e secilit të ndaluar. Detaje të tjera priten në orët në vijim.

Top Channel