“Ndërtuan një fshat të tërë në mes të Thethit”/ Rama i kundërpërgjigjet prokurores Elsa Gjeli: Bëri një ese filozofike për pafajësinë e ndërtimit pa leje

11/07/2025 10:15

Kryeministri Edi Rama i është kundërpërgjigjur prokurores Elsa Gjeli, gjatë një takimi me kryetarët e bashkive të vendit tonë.

Ai u shpreh se pavarësisht 40 denoncimeve në polici nuk është marrë asnjë masë nga prokurorja, e cila sipas tij “i ka justifikuar ndërtimet pa leje me një ese”.

“Ajo që ka ndodhur në Theth gjatë periudhës së zgjedhjeve ose le të themi në muajt para dhe gjatë zgjedhjeve ka pasur një bum ndërtimesh pa leje si rezultat edhe i përgatitjes së sezonit turistik. Jo një por 40 denoncime janë bërë nga policia e shteti për këto ndërtime.

Struktura e policisë ka denoncuar ndërtimet pa leje në prokurori dhe siç është bërë e ditur, në një flagrancë spektakolare, ku është ndërtuar një fshat i tërë turistik në mes të Thethit, një prokurore me mbiemrin Gjeli, ka vendosur mos fillimin e hetimeve.

Ka refuzuar të shohë se për çfarë bëhet fjalë, ka bërë një ese filozofike për pafajësinë e ndërtimit pa leje. Kjo është vepër penale. Ndërkohë që ndërtimi pa leje në një zonë të mbrojtur si Thethi është një vepër penale edhe më e rendë. Nga ana tjetër IKMT ka filluar të veprojë, por duhet thënë që qoftë ne Theth ose Vlorë, ose territore të tjera”, u shpreh Rama.

Top Channel