Justin Bieber zgjidh mosmarrëveshjen financiare me Scooter Braun! Sa ishte pagesa?

11/07/2025 22:08

Justin Bieber dhe ish-menaxheri i tij, Scooter Braun, kanë arritur një marrëveshje për t’i dhënë fund një mosmarrëveshjeje të zgjatur financiare, që lidhet me turneun e anuluar “Justice” të vitit 2022.

Sipas burimeve të konfirmuara nga revista “PEOPLE”, këngëtari 30-vjeçar ka rënë dakord të paguajë 26 milionë dollarë ndaj kompanisë së Braun, HYBE, të cilët ishin dhënë si avans nga kompania e koncerteve AEG Presents.

Fillimisht, HYBE kishte mbuluar shumën pasi Bieber nuk e kishte përmbushur pjesën e tij financiare pas anulimit të turneut. Megjithatë, raportimet thonë se Bieber kishte kryer vetëm një pagesë të pjesshme, duke shkaktuar tension mes palëve.

Përveç shumës kryesore, Bieber do të derdhë edhe 5.5 milionë dollarë të tjerë për të mbuluar komisione të papaguara ndaj Braun, duke e çuar totalin e marrëveshjes në plot 31.5 milionë dollarë.

TMZ raportoi fillimisht për marrëveshjen, e cila përkoi me dy lajme të mëdha nga Bieber: publikimin e albumit të tij të shtatë dhe lançimin e linjës së tij të modës “SKYLRK”.

Kujtojmë se në dhjetor 2022, Justin Bieber shiti katalogun e tij muzikor – 291 këngë – për një shumë prej 200 milionë dollarësh, një lëvizje që u përshkrua si historike nga vetë Braun në atë kohë.

Justin është një artist unik që ndodh vetëm një herë në një brez -ishte shprehur ai.

Megjithatë, një dokumentar i publikuar në maj 2025 ngriti dyshime se shitja e katalogut dhe problemet me pagesat ndaj Braun mund të kishin lidhje me vështirësi financiare të Bieber, të cilat nisën pas anulimit të turneut.

Marrëveshja e re shënon një përmbyllje të bujshme të marrëdhënies profesionale mes një prej këngëtarëve më të mëdhenj të dekadës dhe menaxherit që ndihmoi në ndërtimin e perandorisë së tij muzikore./TAR

Top Channel