“Identiteti Gri”/ Filmi shfaqet në Gjirokastër, është realizuar nga 50 aktorë amatorë

11/07/2025 13:04

Filmi artistik “Identiteti Gri”, me skenar dhe regji nga Ruols Çela, është një prodhim komunitar i realizuar në Gjirokastër, që sjell në fokus realitete sociale aktuale përmes një rrëfimi me karakter introspektiv.

Filmi është prodhuar me pjesëmarrjen e mbi 50 aktorëve amatorë dhe është mirëpritur gjerësisht nga publiku lokal.
Ruols Çela , regjisori i filmit, shpjegon se projekti lindi nga një bashkëpunim i mëparshëm mes të rinjve të qytetit.

“Ishte një iniciativë e ndërmarrë nga një grup të rinjsh në Gjirokastër dhe pas një podcasti që bënim së bashku menduam të realizonim një film me xhirime të vendosura në Gjirokastër dhe ta titullonim ‘Identiteti Gri’.Me shumë mundim e sakrificë, por u bazuam në mbështetjen e madhe të qytetarëve gjirokastritë e më gjerë që na mundësuan të blejmë mjetet. Është një iniciativë e bukur që nuk është ndërmarrë diku tjetër.”

Subjekti i filmit ka në qendër një grup shokësh që lundrojnë përmes dilemave morale dhe përçarjeve të një realiteti social të trazuar.

“Përmbajtja e filmit është marrë nga realiteti , një aktualitet social me në qendër një grup shokësh të cilët rendin drejt të vërtetës brenda intrigave dhe përçarjeve që sjell koha e sotme. Por në fund, ngjarjet zhvillohen në një mënyrë dinjitoze dhe nuk ka një fitues.”

“Identiteti Gri” është transmetuar për 8 netë rresht në kinemanë e qytetit, për shkak të interesit të lartë të publikut.

Në film ka marrë pjesë edhe Viktor Çaro, aktori i vetëm profesionist në kastin e filmit, i cili ka një karrierë të gjatë në kinematografi dhe teatër.

“Unë kam realizuar 15-16 role në filma artistikë dhe dhjetëra të tjerë në teatër. Edhe sot që jam në pension, vazhdoj këtë aktivitet artistik. Propozimi më erdhi 3-4 muaj më parë nga Ruols Çelo dhe Emin Kokalari. Më thanë që kemi bërë një skenar dhe duam të bëjmë një film për Gjirokastrën. U kënaqa shumë megjithëse më kërkuan të aktivizohem duke ditur që mungonte ana financiare dhe teknike. Pavarësisht se nuk kishin edukim në fushë, djemtë kishin të dhëna profesionale qoftë për xhirimin dhe aktrimin. Pas disa muajsh e përfunduam. Në kinemanë e Gjirokastrës janë shfaqur shumë filma, por ky pati një frekuentim të jashtëzakonshëm që nga data 1 korrik.”

Në film kanë marrë pjesë rreth 50 aktorë amatorë nga Gjirokastra, përfshirë mjekë, biznesmenë, studentë, mësues, artizanë dhe qytetarë të zakonshëm, si dhe dhjetëra figurantë.

Projekti është parashikuar të vazhdojë me dy seri të tjera, ndërsa filmi pritet të prezantohet në qytete të tjera si Shkodra, Korça dhe Vlora.

Top Channel