“Bari ka mbuluar varrezat”/ Rama kritika kryebashkiakut të Elbasanit, paralajmëron shkarkime si në Vlorë: Duhet të të lënë pa gjumë ty kryetar, jo të flesh më shumë

11/07/2025 10:46

Kritikave të kryeministrit Edi Rama ndaj kryebashkiakëve, nuk i shpëtoi as kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja.

Rama u ndal te situata në varrezat e qytetit, ku bari dhe kallamat kanë mbuluar vendin, duke krijuar edhe rrezik për zjarre.

“Bari i varrezave në Elbasan mund të bëhet kallam, mund të marrë flakë kollaj. Nëse bari është i qethur si duhet, edhe zjarri nuk merr qiellin, se është e pakonceptueshme të ndodhin gjëra që do t’i faleshin kryetarit të bashkisë së Elbasanit”.

Ai kritikoi më tej Llatjan, për faktin që, sikurse tha, Elbasani është një qytet i vogël dhe është e pamundur të mos dish çfarë ndodh.

“Nëse Elbasani do të ishte sa Shangai, do ishte ndryshe, por është një qytet që mund ta përshkosh me këmbë çdo ditë. Dhe të mos dijë kryetari i bashkisë së çfarë ndodh…”

Kryeministri kërkoi shkarkimin e drejtorëve në Bashkinë Elbasan, njësoj si në Vlorë, Fier dhe Durrës.

“Edhe në Bashkinë Elbasan, edhe Lushnjë duhet bërë e njëjta gjë siç u bë me shkarkimin e plotë të drejtorëve me dorëheqje në Vlorë, duhet shkundur e gjithë kjo pemë, sepse 10 mandate në Elbasan kryetar janë një barrë që mua më ka marrë edhe ato orë që flija. Duhet të të lënë pa gjumë ty, jo të flesh më shumë”.

Top Channel