Analiza/ Hipokrizia e opinionistëve dhe lufta për territor: Vermoshi, ligji dhe rrumpalla e preferuar

11/07/2025 20:48

Nga Ilir Demalia

Nga Vermoshi vijnë imazhe që për disa janë “tronditëse”: fadroma që shembin ndërtime, zëra që ankohen për “dhunën e shtetit” dhe një opozitë që i del në mbrojtje çdo shkelësi vetëm e vetëm që të godasë qeverinë. Por le të ndalemi një moment dhe të pyesim: Çfarë po ndodh realisht në Vermosh?

Janë shembur disa struktura, bujtina e objekte të tjera, të ndërtuara pa leje në një nga zonat më të bukura dhe të ndjeshme ekologjikisht të Shqipërisë. Sipas deklaratave zyrtare dhe raportimeve mediatike, pjesa më e madhe e këtyre ndërtimeve janë ngritur mbi tokë publike, pa dokumentacion, dhe pa respektuar asnjë procedurë ligjore.

Pra, nuk kemi të bëjmë me ndonjë “dhunë ndaj pronës private”, siç përpiqet ta paraqesë opozita dhe disa zëra në media, por me zbatimin e ligjit në një vend ku për dekada ka sunduar kultura e rrumpallës, e “ma bëj hallall” dhe e “për tanët lejohet gjithçka”.

A janë këta “pronarë” të tokës? Apo janë pushtues?

Një pjesë e këtyre bizneseve nuk kanë as titull pronësie, as leje ndërtimi, dhe shumë pak respekt për hapësirat publike. Kanë ngritur bujtina dhe struktura në natyrë, pranë lumenjve, në troje publike që i përkasin të gjithëve — por i trajtojnë sikur t’u jenë lënë trashëgimi.

Kjo është pikërisht ajo çka na ka sjellë këtu: një shoqëri që e sheh shtetin si armik kur ky i zbaton ligjin, por e do “shtetin mik” kur mbyll sytë dhe lë rrugë të lirë për shkelje.

Pse opozita ka zgjedhur të mbrojë rrumpallën?

Në vend që të mbajë një qëndrim parimor dhe të kërkojë zbatim të barabartë të ligjit për të gjithë, opozita zgjedh të bëjë politikë me çdo rast ku shteti tenton të vendosë rregull. Edhe kur bëhet fjalë për hapësira të mbrojtura, për pronë publike dhe për ndërtim pa leje — që në çdo shtet normal do të konsideroheshin shkelje të rënda — ajo ngre zërin në emër të “të përndjekurve nga qeveria”.

Kjo nuk është mbrojtje e qytetarit. Është mbrojtje e rrëmujës. Sepse në rrëmujë ka pazar, ka hapësirë për abuzim, ka terren për klientelizëm. Dhe këtu qëndron ironia më e madhe: opozita që predikon “shtetin ligjor” sillet si aleate e çdo antishteti sa herë që ligji preket me dorë.

Nëse duam shtet, duhet ta duam edhe kur nuk na pëlqen

Askush nuk thotë që shteti është i përsosur. As që Edi Rama është i pagabueshëm. Por është e patolerueshme që zbatimi i ligjit të quhet “sulm” dhe të përdoret si armë politike.

Pastrimi i territorit publik nga ndërtime pa leje nuk është dhunë. Është domosdoshmëri. Është një hap drejt qytetërimit. Nuk mund të kërkosh turizëm elitar, natyrë të mbrojtur dhe zhvillim të qëndrueshëm, ndërkohë që toleron çdo shkelës të ligjit që ndërton ku t’i teket, pa asnjë kriter.

Kjo nuk është luftë ndaj njerëzve, por luftë ndaj mentalitetit të uzurpatorit. Ndaj duhet mbështetur, jo sulmuar.

Top Channel