
Një restorant në qendër të Thethit është përfshirë nga flakët në orët e para të mëngjesit, duke shkaktuar panik mes banorëve dhe pushuesve.
Zjarri ka shpërthyer rreth orës 02:00 pas mesnate dhe është vënë re fillimisht nga familjarët dhe fqinjët, të cilët kanë ndërhyrë menjëherë për të ndalur përhapjen e flakëve drejt bujtinës ngjitur.
Zjarri ka qenë i fuqishëm, duke shkatërruar plotësisht të gjithë ambientin e restorantit. Sipas dëshmive të pronarëve, ndërhyrja e zjarrfikëses ka ardhur me vonesë, ç’ka ka vështirësuar kontrollin e situatës.
Për shkak të rrezikut që flakët të përfshinin edhe strukturën ngjitur, gjatë natës është bërë evakuimi i dhjetëra turistëve që ishin të akomoduar në bujtinë.
Policia dhe grupi hetimor kanë mbërritur në vendin e ngjarjes. Pronari i restorantit shprehet se vetëm ekspertiza do të përcaktojë nëse zjarri është shkaktuar nga ndonjë defekt elektrik apo bëhet fjalë për një akt të qëllimshëm.
Top Channel