Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha ka pranuar dorëheqjen e kreut të Policisë për rajonin e Lipjanit, Argjend Gashi, i cili duket ka vendosur të largohet mes polemikave të mëdha që ka shkaktuar vdekja e 27-vjeçarit Agon Zejnullahu në duart e forcave të rendit.

“Gashi ka paraqitur një kërkesë për lirimin nga detyra dhe ajo i është aprovuar”, ka thënë Hoxha. Pesë zyrtarëve të Policisë së Kosovës të përfshirë në ndalimin e Zejnullahut i është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji.

Akuza që mund të rëndojë mbi ta është ajo e “vrasjes nga pakujdesia”. Ngjarja mori vëmendje të madhe sidomos pas pamjeve të shpërndara në rrjetet sociale, ku viktima shihet i lidhur në tokë, ndërsa njëri nga policët i mbështet gjurin në qafë. Sipas policisë, i riu dyshohet të ketë qenë nën efektin e alkoolit dhe është ndaluar nga forcat e rendit pasi ka sulmuar automjete e kalimtarë.

Avokatët mbrojtës të policëve pohuan pas seancës dëgjimore se nuk besojnë që efektivët e pezulluar të kenë kontribuuar apo shkaktuar vdekjen e 27 vjeçarit. Zyrtarë të lartë shtetërorë, përfshirë presidenten e vendit, Vjosa Osmani, kryeministrin në detyrë, Albin Kurti dhe ministrin e Brendshëm në detyrë, Xhelal Sveçla, kanë bërë thirrje për hetime dhe zbardhje të rastit, ndërsa familjarët e viktimës janë shprehur publikisht të zhgënjyer me mungesën e transparencës nga autoritetet.

Vëllai i Zejnullahut pohoi më herët për disa media në Prishtinë se të afërmit nuk kanë marrë asnjë sqarim nga policia, ndërsa trupi i të ndjerit sipas tij, “ka pasur shumë shenja mavijosjeje dhe thyerje”.

Top Channel