
Mbrëmjen e djeshme në Gjirokastër në një kinema që ende ruan tingullin e rrotullimit të bobinave të dikurshme, u shfaq dokumentari “Horizontet e Kureshtjes”, një vështrim i thellë dhe i trazuar mbi mënyrën se si Shqipëria komuniste përdori turizmin si instrument kontrolli, propagande dhe si ndihmës psikologjik për një popull të izoluar.
Në ekran shfaqen pamje të qytetit të Gjirokastrës me kalldrëmet, ndërtesat karakteristike dhe fasadat me dritare të mëdha kthehen në sfondin e një historie tjetër atë të një turizmi të kuruar me kujdes nga shteti për qëllime që shkonin përtej mikpritjes.
“Dokumentari është një rikthim prapa në kohën e komunizmit. Zgjodhëm qytetin e Gjirokastrës, një nga qytetet më të rëndësishme edhe në atë kohë, kur shumë prej turistëve të huaj e vizitonin atë. Kërkesa për të ardhur në Gjirokastër, në festivale folklorike por edhe aktivitete të tjera ishte gjithnjë e madhe, lidhur edhe me faktin që ishte vendlindja e Enver Hoxhës, por ajo që është më me rëndësi është qendra e qytetit me bukurinë e saj.
Këtu nxjerrim elementë që kanë të bëjnë me përgjimet, me elementët e vrojtimit, tematika të ndryshme, gadget që janë përdorur, marketingu, pjesa se si funksiononte turizmi apo albturizmi në kohën e komunizmit – të gjitha për publikun e Gjirokastrës”, tha Brunilda Liçaj-autore e dokumentarit.
Materiali filmik nxjerr në pah historitë e panjohura të “udhërrëfyesve” që njëkohësisht ishin edhe mbikëqyrës të turistëve. Tregohen pajisje të thjeshta përgjuese, itinerarë të caktuar deri në detaje, ndalime për kontakt të lirë me vendasit dhe propagandë që i paraqiste turistët si miq, por gjithmonë nën kontroll.
Turistët e huaj, që në sytë e vendasve shfaqeshin si përfaqësues të një bote tjetër, vinin me aparate fotografikë, rroba ndryshe dhe një sjellje që binte në sy.
Një nga aspektet më të fuqishme të dokumentarit është pikërisht ndikimi psikologjik që ky lloj “turizmi i kontrolluar” kishte mbi shqiptarët.
Filmi i Liçajt i rikthen publikut shqiptar një pjesë të së shkuarës që shpesh është përmendur vetëm në mënyrë të fragmentuar.
Pas shfaqjes në kinemanë e qytetit, “Horizontet e kureshtjes” do të vijojë të shfaqet në kalanë e Gjirokastrës, në versionin anglisht për turistët e sotëm për t’ju mundësuar atyre të njohin një të vërtetë të dikurshme, të cilën nuk do ta shihnin dot në asnjë broshurë zyrtare të kohës.
Top Channel