
Një aksident tragjik ka ndodhur mëngjesin e së enjtes në aksin rrugor Pogradec–Qafthanë, në vendin e quajtur “Tuneli” në Piskupat.
Sipas të dhënave paraprake nga policia, një automjet ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në liqenin e Pogradecit, duke i marrë jetën drejtuesit të mjetit.
Viktima është identifikuar si 34-vjeçari Alfons Bleta banues në Pogradec. Dyshohet se ai ka humbur kontrollin e makinës, duke përfunduar jashtë rruge dhe më pas në ujë.
“Mëngjesin e sotëm, në aksin rrugor “Pogradec-Qafë Thanë”, automjeti që drejtohej nga shtetasi A. B., 34 vjeç, dyshohet se si pasojë e humbjes së kontrollit mbi drejtimin e automjetit nga shtetasi A.B, automjeti ka dalë nga rruga dhe ka rënë në liqen. Drejtuesi i automjetit, shtetasi A.B, ka humbur jetën”, njofton policia.
Sipas të dhënave paraprake nga policia, dyshohet se humbja e kontrollit mbi drejtimin e mjetit ka qenë shkaku i daljes nga rruga, por shkaqet e plota të ngjarjes pritet të sqarohen nga hetimet.
Top Channel