Shqipëria fiton çmim në ‘WSIS 2025’ për projektin që përshpejton integrimin në BE me inteligjencë artificiale

09/07/2025 16:00

Në një nga ngjarjet më prestigjioze globale të teknologjisë dhe inovacionit, në ceremoninë e ndarjes së çmimeve “WSIS Prizes 2025”, Drejtoresha e Përgjithshme e AKSHI-t, znj. Mirlinda Karçanaj, tërhoqi çmimin në emër të Shqipërisë.

Projekti fitues: “Harmonizimi i Legjislacionit Shqiptar me Acquis të BE-së” i mundësuar nga inteligjenca artificiale.

Ajo që nisi nga vullneti i Kryeministrit për të përshpejtuar procesin e integrimit të Shqipërisë në BE, sot është konkretizuar në këtë modul inovativ që bën të mundur: Përkthimin me saktësi mbi 95% dhe përafrimin me AI të legjislacionit kombëtar me atë evropian. Krahasimin me AI për mbivendosje apo kontradikta të akteve në proces përafrimi dhe krijimin automatik të tabelave të përputhshmërisë.

Çka më parë kërkonte muaj të tërë pune manuale, sot realizohet për pak minuta.

Si bashkënegociatore e Kapitullit 10 “Transformimi Digjital dhe Media”, Drejtoresha e AKSHI-t u shpreh se ky çmim është një moment krenarie të dyfishtë për të.

“Modeli i inteligjencës artificiale që mori këtë vlerësim është ideuar që në krye të herës nga Kryeministri Edi Rama, me një qëllim të qartë: përshpejtimin e procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Përkthimi i legjislacionit që realizohet me saktësi mbi 95% dhe krijimi automatik i tabelave të përputhshmërisë kanë reduktuar ndjeshëm kohën dhe punën e strukturave tona të integrimit. Ajo që më parë kërkonte muaj pune, tani realizohet shumë shpejt, në vetëm pak minuta, me shumë saktësi, me shumë integritet. Ky është një shembull konkret se si inovacioni dhe vizioni na ndihmojnë të jemi më pranë Bashkimit Evropian. Faleminderit për këtë vlerësim!

Top Channel