Më shumë turistë se banorë në Leskovik, ushqimi bio dhe freskia kanë tërhequr vizitorë të shumë gjatë këtij sezoni veror

09/07/2025 12:23

Në juglindje të Shqipërisë, aty ku natyra mbetet e paprekur, Kolonja po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendjen e turistëve të huaj.

Në afërsi të Leskovikut, shtrihet një nga mrekullitë natyrore më të rralla lugina e Sarandoporit. E përshkuar nga një rrjedhë e qetë lumi dhe rrethuar nga male të larta, kjo zonë e pak më tej pyjet e Gërmenjit, janë kthyer në një destinacion të preferuar për udhëtime malore dhe aventurë. Të apasionuar pas natyrës dhe udhëtimeve, shumë prej turistëve vijnë nga larg për të shijuar peizazhin panoramik, qetësinë e Leskovikut, por edhe kulturën, traditën dhe produktet vendase si vera dhe ushqimi bio.

Vijmë nga Gjermania, kemi udhëtuar për dy javë kemi bërë rreth 3000 km dhe na kanë ngelur edhe dy javë të tjera. Është një zonë shumë e bukur, 900 m mbi nivelin e detit, relievi malor është mbresëlënës.   Provuam edhe verën e Leskovikut dhe na pëlqeu shumë.”, shprehet një turist gjerman.

Jam nga Londra por jetoj në Edinburg, Skoci. Nisëm një udhëtim nga Greqia, qëndruam në Kretë, më biçikletë udhëtuam përmes Greqisë dhe  dje arritëm në Leskovik.  Kur kaluam kufirin vumë re se sa miqësorë janë Shqiptarët, të cilët na përshëndesnin teksa udhëtonim. Leskoviku është një qytet i këndshëm, i qetë, njerëzit janë miqësore, na ndihmuan që të gjenim vend për tu akomoduar dhe rruga nga kufiri deri në Leskovik mes maleve, ishte shumë e bukur”, shprehet turistja nga Britania e Madhe.

Jam nga Glaskow në Skoci. Kemi thuajse një muaj që udhëtojmë. E nisëm udhëtimin nga Greqia dhe dje arritëm në Shqipëri.  Qëndruam në Leskovik, një qytezë e vogël por shumë e bukur dhe rruga mes maleve dhe natyrës është e mrekullueshme. Më pëlqeu qetësia, njerëzit miqësorë, peizazhi. Kjo nuk është hera ime e parë në Shqipëri pasi kisha parë veriun dhe malet atje të cilat po ashtu ishin të mrekullueshme. Tani po udhëtojmë drejt Korçës ku do të qëndrojmë 1 ose 2 ditë, kurse gjithsej në Shqipëri disa javë. Pasi të shkojmë aty do të vendosim se ku do ta vazhdojmë udhëtimin”, thotë një tjetër turist.

Gërmenji, Sarandopori dhe Leskoviku janë vetëm disa prej ndalesave që dëshmojnë potencialin turistik të Kolonjës, një zonë që ka shumë për të ofruar dhe që çdo vit po zbulohet nga më shumë vizitorë nga e gjithë bota.

Top Channel