Gjykata e Lartë la në fuqi masën ‘arrest me burg’, avokatët e Veliajt: Shkelje flagrante e të drejtave të njeriut

09/07/2025 17:02

Avokatët ndërkombëtar të Erion Veliajt reaguan një ditë pas vendimit të Gjykatës së Lartë për të lënë në fuqi masën e “arrestit me burg” për kryebashkiakun e Tiranës.

Sipas tyre, vendimi për lënien e kryebashkiakut në burg shkel procesin e rregullt ligjor.

 “Mbajtja në paraburgim e Kryebashkiakut Veliaj, pa akuzë dhe kur ka mundësi për masa më të qarta, proporcionale dhe të arsyeshme alternative ndalimi, është në kundërshtim me parimet e vendosura për një proces të rregullt ligjor, dhe në papajtueshmëri me sundimin e ligjit”.

Gjithashtu, avokatët ndërkombëtarë të kryebashkiakut argumentojnë se vendimi është në shkelje të të drejtave të njeriut, ndërsa paralajmërojnë masa ligjore.

“Ne po presim vendimin e plotë të Gjykatës së Lartë, por jemi duke marrë në konsideratë të gjitha masat e mundshme ligjore. Mbajtja në paraburgim e Kryebashkiakut Veliaj bie në kundërshtim me Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut”.

Edhe vetë kryebashkiaku Veliaj e cilësoi vendimin e Gjykatës së Lartë zhgënjyes.

“Sot, duhet të isha një hap më pranë kthimit në shtëpi, por në vend të kësaj, ndodhem i burgosur, në pamundësi për t’u takuar me këshilluesit e mi ligjorë ndërkombëtarë apo për të pasur informacionin e nevojshëm për të mbrojtur veten”.

Erion Veliaj tha se do të ndjekë të gjitha rrugët ligjore për t’i shërbyer sërish Tiranës. Veliaj është nën hetim nga SPAK për  korrupsion dhe pastrim parash.

Top Channel