
Mbi 80 persona kanë humbur jetën nga përmbytjet shkatërruese në Teksasin qendror, ndërsa 41 të tjerë rezultojnë ende të zhdukur, pas reshjeve të rrëmbyeshme që goditën rajonin të premten.
Qarku Kerr është më i godituri, ku humbën jetën 68 nga viktimat, përfshirë 28 fëmijë, pas përmbytjes së një kampi veror vajzash i vendosur përgjatë lumit Guadalupe.
Kampi i njohur “Camp Mystic” u përmbyt gjatë natës, ndërsa shumica e vajzave ishin në gjumë. Dhjetë vajza dhe një këshilltare nga kampi rezultojnë ende të humbura.
Autoritetet paralajmërojnë se numri i viktimave mund të rritet, pasi reshje të tjera priten në 24-48 orët në vijim, çka mund të vështirësojë punën e ekipeve të kërkim-shpëtimit, të cilat tashmë po përballen me baltë, rrënoja dhe edhe gjarpërinj helmues në zonat e përmbytura.
Guvernatori i Teksasit, Greg Abbott, deklaroi të dielën se do të bëhet gjithçka për të gjetur çdo person të zhdukur. “Ishte tronditëse të shihje çfarë kanë kaluar ato fëmijë të vegjël,” u shpreh ai, pas vizitës në zonën e katastrofës.
Ndër viktimat është edhe drejtori i kampit, Richard “Dick” Eastland. Dëshmitarë nga vendngjarja raportojnë se sende personale nga kampi janë gjetur deri në 12 kilometra larg, përgjatë lumit.
Dëmet materiale janë të mëdha edhe në infrastrukturë – rruga që lidh qytetin Kerrville me kampin është e shkatërruar, ndërsa shumë shtëpi janë rrënuar dhe linjat e energjisë elektrike janë dëmtuar rëndë.
Presidenti Donald Trump ka shpallur gjendje katastrofe natyrore për qarkun Kerr, duke aktivizuar ndihmën federale. “Është një tragjedi e tmerrshme ajo që ndodhi,” tha ai të dielën nga Nju Xhersi.
Ndërkohë, banorët lokalë dhe vullnetarët po mobilizohen për të ndihmuar të prekurit, duke shpërndarë ushqim, veshje, dhe duke ofruar strehim.
Ngushëllime kanë ardhur nga e gjithë bota. Në Romë, Papa Leo XIV u lut për viktimat dhe familjet e tyre, duke veçuar në fjalimin e së dielës vajzat e humbura në kampin e përmbytur. “Lutemi për to,” tha Ati i Shenjtë.
Top Channel