
Vendet e BRICS shprehën “shqetësimet e tyre serioze” në lidhje me vendosjen e tarifave “unilaterale” gjatë samitit në Rio de Janeiro, në një kohë kur bota është nën presion nga lufta tregtare e nisur nga Donald Trump
“Ne shprehim shqetësime serioze në lidhje me rritjen e masave të njëanshme tarifore dhe jo-tarifore që dëmtojnë tregtinë “, thuhet në tekstin e deklaratës së përbashkët.
Masa të tilla “godasin perspektivat për rritje ekonomike globale”, paralajmërojnë 11 vendet e grupit BRICS, të cilat përfaqësojnë rreth gjysmën e popullsisë së botës dhe 40% të PBB-së të botës.
Por udhëheqësit e BRICS shmangën përmendjen e Shteteve të Bashkuara dhe Donald Trump në një kohë kur shumë vende, përfshirë Kinën, janë në negociata me Uashingtonin për këtë çështje. Presidenti brazilian Luiz Inacio Lula da Silva, organizator i samitit, hapi punimet duke paraqitur një pamje të zymtë të bashkëpunimit ndërkombëtar. “Po dëshmojmë një kolaps të paparë të multilateralizmit” në marrëdhëniet ndërkombëtare, tha ai.
Samiti u shënua nga disa mungesa të dukshme. Për herë të parë që nga marrja e pushtetit në vitin 2012, Presidenti kinez Xi Jinping mungonte, edhe pse vendi i tij është fuqia dominuese e bllokut.
Një tjetër mungesë e dukshme, Presidenti rus Vladimir Putin, foli në samitin e Rio de Janeiro nëpërmjet videokonferencës për shkak të një urdhër-arresti të lëshuar kundër tij nga Gjykata Ndërkombëtare Penale për krime lufte në Ukrainë.
Putin u tha udhëheqësve të BRICS se epoka e globalizimit liberal kishte mbaruar dhe se e ardhmja u përkiste ekonomive në zhvillim me rritje të shpejtë, të cilat duhet të forcojnë përdorimin e monedhave të tyre kombëtare në tregti.
“Çdo gjë tregon se modeli i globalizimit liberal po bëhet i vjetëruar… Qendra e aktivitetit të biznesit po zhvendoset drejt tregjeve në zhvillim”, tha ai, duke u bërë thirrje vendeve të BRICS të forcojnë bashkëpunimin në një sërë fushash të tilla si burimet natyrore, logjistika dhe financat.
Situata në Lindjen e Mesme imponoi praninë e saj në bisedime.
Duke hapur procedurat, Lula bëri thirrje: “Le të mos qëndrojmë indiferentë ndaj gjenocidit që po kryen Izraeli në Gaza ”.
Në deklaratën e tyre të përbashkët, BRICS bën thirrje për “një armëpushim të menjëhershëm, të përhershëm dhe pa kushte dhe një tërheqje të plotë” të forcave izraelite nga Rripi i Gazës.
BRICS-ët gjithashtu dënuan “sulmet ushtarake” kundër Iranit në qershor dhe denoncuan “shkeljen e së drejtës ndërkombëtare”, pa përmendur Shtetet e Bashkuara ose Izraelin. Grupi BRICS u krijua me qëllim ribalancimin e rendit botëror në favor të “Jugut Global” kundër Perëndimit me pjesëmarrjen e Brazilit, Kinës, Indisë, Rusisë dhe Afrikës së Jugut. Në vitin 2023, grupi u zgjerua me pranimin e Arabisë Saudite, Egjiptit, Emirateve të Bashkuara Arabe, Etiopisë, Iranit dhe Indonezisë.
Me zgjerimin e tij, grupi u bë gjithnjë e më heterogjen, gjë që e bëri të vështirë formulimin e qëndrimeve të përbashkëta.
Top Channel