
Këtë sezon turistik, masat e sigurisë në disa plazhe përgjatë Adriatikut mbeten shqetësuese.
Edhe pse është detyrim ligjor, mungesa e rojeve bregdetare në kullat e vrojtimit vazhdon të jetë problem i përsëritur. Fatkeqësisht, nuk kanë munguar as humbjet e jetës mes pushuesve.
Rasti më i fundit është ai i një 41-vjeçari nga Durrësi, i cili humbi jetën të dielën e kaluar në Sektor Rinia, ku roja e plazhit mungonte.
“Duhet të vendosen roje, se ka edhe fëmijë. Kanë ndodhur aksidente. Mungon siguria dhe ka shumë turistë.”
“Siguri nuk ka, por po rrijmë me shpresën që ka. Unë jam si kalamajtë, s’di not. Jeta është e shtrenjtë dhe për qejf po vijmë.”
“Vetë duhet të jemi të përgjegjshëm… Rojet bregdetare duhet të jenë të parët. Duhet të vini ju televizionet që ata të hipin në kullë.”
Situata nuk është e njëjtë përgjatë gjithë vijës bregdetare, pasi në disa zona vrojtuesit nuk mungojnë dhe pushuesit ndihen të sigurt.
“Ku jemi ne janë të kujdesshëm në këtë zonë, por nuk e di në zonat e tjera. Siguria është gjëja më e rëndësishme për të gjithë ne që vijmë në plazh.”
“Duhet të jenë, por ata edhe do të lëvizin (nga kulla), njeriu do të pijë një kafe. Ka roje, duhet t’i kërkosh, t’i gjesh rojet.”
Ndërsa plazhet mbushen çdo ditë e më shume me turistë vendas e të huaj, mungesa e rojeve në disa zona dhe vëmendja e pamjaftueshme e autoriteteve mund të rrezikojë jetë, ndaj kërkohen kontrolle të shtuara dhe ndërhyrje për të garantuar sigurinë gjatë sezonit turistik.
Top Channel