
Dalai Lama, lideri shpirtëror i tibetianëve në mërgim, festoi 90-vjetorin e lindjes të dielën me një mesazh për paqe dhe dhembshuri, ndërsa Kina vazhdon të këmbëngulë se do të ketë fjalën e fundit për emërimin e pasuesit të tij.
I veshur me rrobat tradicionale budiste dhe i shoqëruar nga murgj, Dalai Lama falënderoi ndjekësit për lutjet dhe tha se kultivimi i një zemre të mirë është çelësi për një botë më të mirë. Ai deklaroi se institucioni shpirtëror i Dalai Lamës do të vazhdojë edhe pas vdekjes së tij, mes thirrjeve që ka marrë nga Tibeti, Mongolia dhe rajonet përreth.
Ndërkohë, autoritetet kineze reaguan ashpër, duke thënë se emërimi i pasuesit duhet të miratohet nga qeveria qendrore në Pekin, përmes një procedure tradicionale me “urnën e artë” që mbahet nga Kina. Dalai Lama e ka kundërshtuar këtë metodë, duke e quajtur pa vlerë shpirtërore.
Festa në Indi, ku Dalai Lama jeton që prej vitit 1959 pas arratisjes nga Tibeti, u shoqërua me lutje masive dhe mesazhe mbështetjeje. Ndër të pranishmit ishte edhe aktori Richard Gere, një mbështetës i vjetër i çështjes tibetiane, i cili e quajti Dalai Lamën një simbol të dashurisë dhe urtësisë.
Presidentët e mëparshëm amerikanë Clinton, Bush dhe Obama, si dhe Sekretari i Shtetit Marco Rubio, e përgëzuan liderin shpirtëror, duke theksuar rëndësinë e lirisë dhe dinjitetit të tibetianëve.
Kryeministri indian e quajti Dalai Lamën një simbol të qëndrueshëm të dashurisë dhe i përcolli urime të përzemërta për ditëlindjen.
Ceremonia përfundoi me një kallëz tortë dhe këndimin e këngës “Happy Birthday” nga mijëra ndjekës.
Dalai Lama, i cili u identifikua si reinkarnim që në vitin 1937, ka thënë se nëse do të ketë një pasardhës, ai do të vijë nga bota e lirë, jashtë kontrollit të Kinës.
Top Channel