Koncerti me simbolika naziste! Mes polemikave të shumta në Kroaci, Marko Perkoviç mbledh 500 mijë kroatë

06/07/2025 13:40

Një koncert i këngëtarit kroat Marko Perkoviç Thompson, i njohur për qëndrime pro-naziste, mblodhi 500 mijë persona këtë fundjavë në Zagreb.

Autoritetet paralajmëruan për trafik të rënduar dhe masa të rrepta sigurie, përfshirë mijëra forca policie, spitale në gatishmëri dhe ngritjen e një spitali fushor me 200 shtretër pranë vendit të koncertit.

Thompson është ndaluar të performojë në disa vende për shkak të mbështetjes ndaj regjimit fashist Ustasha gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Në koncertet e tij janë parë shpesh simbolet e këtij regjimi, ndërsa një prej këngëve të tij hapet me një slogan famëkeq të përdorur nga aleatët e nazistëve.

Pavarësisht polemikave, biletat e koncertit u shiten brenda pak ditësh, dhe një pjesë e madhe e audiencës janë të rinj nën moshën 28 vjeç.

Kryetari i bashkisë së Zagrebit, Tomislav Tomaseviç, ka refuzuar ta ndalojë ngjarjen, duke e cilësuar si një vendim që do të ishte kundërproduktiv. Ndërkohë, menaxheri i këngëtarit është shprehur se bëhet fjalë për një koncert muzikor dhe jo për një tubim politik.

Ndërsa organizata ndërkombëtare si Qendra Simon Wiesenthal e kanë akuzuar këngëtarin për glorifikim të gjenocidit, historianë lokalë thonë se shumica e publikut e sheh atë si një figurë patriotike, që këndon për vlera si atdheu, feja dhe familja.

Koncerti konsiderohet si më i madhi në historinë e Kroacisë dhe vjen në një kohë kur vendi përballet me kritika për tolerancë në rritje ndaj së kaluarës fashiste.

Top Channel