
Hakan po shtyn për t’u larguar drejt Turqisë, por Galatasaray ende nuk ka bërë asnjë lëvizje, ndërkohë që Interi dëshiron ta mbyllë këtë çështje para nisjes së grumbullimit. Ndërkohë mesfushori i Atalantës, Ederson, hap dritaren: dëshiron të shkojë në Botëror me Brazilin.
Ajo që mungon është “bifteku në pjatë”, pra oferta e vërtetë, me shifra konkrete, formulë, detaje dhe kushte të qarta. Të tjerat duken tashmë në tryezën e shtruar me menu italo-turke: nga njëra anë një klub nga Stambolli që dëshiron të rikthejë në atdhe një emër të njohur kombëtar, nga ana tjetër një klub milanez që nuk kërkon probleme, por as nuk ka ndërmend të bëjë dhurata.
Në mes është Hakan Calhanoglu, interisti i pakënaqur që e ka zemëruar Lautaron për këtë flirt të vazhdueshëm me Galatasaray. Nëse dëshira e turkut për të veshur fanellën e “Gala”-s do të realizohet, kjo do të kuptohet shpejt, me kalimin në fazat më konkrete të negociatave: Interi nuk dëshiron që kjo zhurmë të zgjasë më shumë se dy javët e ardhshme për të shmangur situata të sikletshme në skuadër.
Në të njëjtën kohë, mbyllja e një dere sot do të mundësonte hapjen e një porte të madhe nesër: Interi po planifikon një mesfushë pa Calhanoglu dhe emri i preferuar për ta zëvendësuar është Ederson i Atalantës. Edhe pse “dyqani” i Bergamos është shumë i shtrenjtë, ekziston një rrugë konkrete për ta sjellë atë në Milano: ajo kalon nga Brazili, por nuk është dhe aq e vështirë.
AUT AUT
Galatasaray dhe Interi janë dy botë të ndryshme dhe jo shumë të pajtueshme: nuk kanë komunikuar drejtpërdrejt deri tani, por po bëhet një punë e madhe diplomatike për t’i afruar. Nuk do ta mbajë Hakani te Interi as biseda me Lautaron – të dy janë kontaktuar, por kanë mbetur në pozicionet e tyre – sepse vullneti i Hakanit është i qartë dhe ka përkrahje në nivelet më të larta në Stamboll: në Turqi rikthimi i kapitenit të kombëtares shihet si një çështje kombëtare, një nevojë patriotike. Për këtë arsye, Galatasaray do të arrinte shpejt marrëveshje me Calhanoglu-n, por nuk është mësuar të paguajë shumë për kartonët e lojtarëve, edhe për ata strategjikë. Nga ana tjetër, Interi duhet të mbrojë një pasuri të vogël: lojtari është 31 vjeç dhe ka kontratë deri në 2027. Në selinë e klubit nuk kanë marrë ende një kërkesë zyrtare për largim, por kanë vendosur një çmim fillestar për negociata rreth 30 milionë euro. Gjithsesi, të gjitha palëve u është vendosur një ultimatum: përpara nisjes së grumbullimit për sezonin 2025-26 duhet gjetur një zgjidhje – ose lamtumira e pritur, ose një qëndrim i vështirë. Duke pasur parasysh dëmtimin që e detyroi ta linte Kupën e Amerikës pa luajtur asnjë minutë, Calhanoglu pritet të jetë në grupin e parë të interistëve që do të grumbullohen rreth datës 22 korrik: ta sjellësh në Appiano pa qenë i sigurt që do të qëndrojë, do të ishte kundërproduktive.
ANCELOTTI THËRRET
Në të njëjtën kohë, Interit i nevojiten duar dhe mendje të lira për të tentuar një operacion delikat, të vështirë, por aspak të pamundur: të gjithë te Interi – nga presidenti Beppe Marotta te drejtori sportiv Piero Ausilio dhe trajneri i ri Cristian Chivu – janë të interesuar për Edersonin, të cilin Chivu do ta përdorte me kënaqësi për të “rifreskuar” mesfushën. Atalanta e di që mund të humbasë “xhevahirin” e saj dhe ka vendosur një çmim fillestar të lartë, deri në 60 milionë euro. Por braziliani nuk e ka problem të qëndrojë në Serie A dhe të kalojë nga një ekip “nerazzurro” në tjetrin, sidomos sepse e ndjek nga afër trajneri i ri i Brazilit, Carlo Ancelotti. Një faktor vendimtar për zgjedhjen e 25-vjeçarit është pikërisht Botërori: ai është rikthyer në kombëtare në mars pas një periudhe të gjatë dhe dëshiron të jetë pjesë e skuadrës për SHBA 2026. Pra, për një herë, Italia nuk është një kufizim – përkundrazi. Për më tepër, në Milano do të gjente dy bashkëkombas që kanë të njëjtën ambicie: Carlos Augusto dhe Luis Henrique duan ta shoqërojnë në Amerikë pas një viti. (La Gazzetta Dello Sport)
Top Channel