
Pas dorëheqjes së 21 drejtorëve në Bashki, Task Forca për lirimin e hapësirave publike ka zbritur në terren në qytetin e Vlorës, në një aksion të gjerë që synon të rikthejë zonat publike në dispozicion të qytetarëve.
Në këtë operacion janë angazhuar strukturat e bashkisë dhe policisë bashkiake, të mbështetura nga forcat e policisë së Vlorës dhe nga njësitë e FNSH-së së Fierit.
Kryetari i Bashkisë së Vlorës, Ermal Dredha, i kritikuar nga Rama për situatën në qytet është angazhuar më shumë në detyrën e tij duke qenë vetë i pranishëm në terren.
“Nuk do të ndalemi derisa të rikthejmë çdo metër katror të hapësirës publike për qytetarët. Ky është një proces i pandalshëm”, tha Dredha.
Ky aksion vjen pas direktivave të kryeministrit Edi Rama tre ditë më parë, ndërsa kryebashkiaku komentoi edhe dorëheqjet e disa drejtuesve të institucioneve të zgjedhur nga vetë ai në bashki, duke ua lënë ish-drejtorëve përgjegjësinë për problemet në qytet.
“Kemi nevojë për një administratë që punon me përkushtim maksimal. Do të bëjmë një vlerësim të thelluar për punën e çdo drejtuesi dhe do të sjellim emra të rinj që e kuptojnë rëndësinë e shërbimit ndaj qytetit”, u shpreh ai.
Aksioni pritet të vijojë me intensitet edhe në ditët në vijim, si pjesë e një plani më të gjerë për rritjen e cilësisë së jetesës në Vlorë dhe rivendosjen e rendit urban.
Top Channel