
Finalizohet nga Seksioni i Hetimit të Trafiqeve të Paligjshme, nën drejtimin e Prokurorisë, operacioni policor i koduar “Identiteti”.
Zbulohet një ambient i përshtatur si laborator për falsifikimin e dokumenteve të ndryshm me qëllim dhënien e ndihmës për kalim të paligjshëm të kufirit. Sekuestrohen dokumente të dyshuara të falsifikuara dhe sende të tjera të kundërligjshme që shërbenin për ushtrimin e kësaj veprimtarie kriminale.
Vihen në pranga 2 shtetas (babë e bir), njëri prej tyre aktualisht me masë sigurie “Arrest në shtëpi”, dhënë nga SPAK, si pjesëtar i një grupi kriminal për të njëjtën veprimtari. Procedohet penalisht bashkëpunëtori i tyre.
Seksioni i Hetimit të Trafiqeve të Paligjshme, nën drejtimin e Prokurorisë, si rezultat i një hetimi 7-mujor të ndjekur me metoda speciale, finalizoi me sukses operacionin policor të koduar “Identiteti”.
Si rezultat i tij u arrestuan shtetasit Y. B., 65 vjeç, aktualisht me masë sigurie “Arrest në shtëpi”, dhënë nga SPAK, dhe P. B., 45 vjeç (babë e bir), si dhe u procedua penalisht shtetasi Sh. L., 62 vjeç, i cili dyshohet si bashkëpunëtor i dy të arrestuarve.
Gjatë kontrollit të banesës, shërbimet e Policisë zbuluan një ambient të fshehtë, të kthyer në laborator për prodhimin dhe falsifikimin e dokumenteve të ndryshme dhe pasaportave.
Nga hetimet ka rezultuar se prodhimi i një pasaporte të falsifikuar me shtetësi të huaj arrinte në vlerat nga 15 000 deri në 20 000 euro. Këto pasaporta dyshohet se përdoreshin për kalimin e paligjshëm drejt vendeve të Bashkimit Evropian ose SHBA.
Po punohet për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
Top Channel