
Në Vlorë, sidomos gjatë verës është vërejtur shtimi i përdorimit të monopatinave elektrike, ashtu si edhe në Tiranë që është kthyer në një mjet masiv transporti për qytetarët.
Të përdorura kryesisht nga të rinjtë për të shmangur trafikun e dendur, këto mjete të vogla dhe të shpejta janë kthyer edhe në burim aksidentesh në Vlorë.
Një fakt të tillë e konfirmojnë edhe mjekët e qytetit bregdetar. Rinaldo Xhakaj, mikrokirurg, thotë se gjatë 24 orëve kryen deri në 70 ndërhyrje të vogla mikrokirurgjie, e këtu përfshin edhe rastet e dëmtimit nga skuterat apo monopatinat, që janë 8 të tilla vetëm në një ditë.
Shpejtësia e lartë, mungesa e kontrollit dhe mosrespektimi i Kodit Rrugor nga drejtuesit e këtyre mjeteve, shpesh të rinj, por edhe fëmijë janë disa nga arsyet kryesore që i kanë kthyer këto mjete në një shqetësim serioz.
Monopatinat lëvizin me shpejtësi 30 deri në 50 km/h, shpejtësi e cila për specialistët e sigurisë rrugore kërkon rregullim të qartë ligjor, që të kërkohet leje drejtimi dhe siguracion për drejtuesit e këtyre mjeteve.
Top Channel