
Ka nisur mbarë sezoni i vjeljes së mjaltit për bletarët në zonën e Cakranit në Fier.
Kushtet atmosferike të favorshme këtë vit kanë ndikuar pozitivisht prodhimin, i cili konsiderohet i kënaqshëm nga vetë bletarët.
Ridvan Llanaj, bletar me përvojë 10-vjeçare, i cili disponon mbi 150 koshere, shprehet se vjelja ka nisur që prej datës 10 qershor, dhe deri tani prodhimi për koshere ka arritur mesatarisht në 7 kilogramë.
“Kushtet kanë qenë shumë të mira këtë sezon. Prodhimi është shumëlulesh pasi bimësia është e larmishme në zonën tonë. Aktualisht menaxhoj tre parqe bletësh: në Cakran, Kreshpan dhe në Nivicë të Tepelenës”, thotë Llanaj.
Lëvizja e bletëve në zona të ndryshme është e domosdoshme për të siguruar rendiment dhe cilësi më të lartë të mjaltit, sidomos për t’i shmangur periudhat e thatësirës, që ndikojnë negativisht në prurjet e nektarit dhe polenit, thotë bletari
“Transporti i bletëve është i kushtueshëm. Do të doja ta kisha çuar të gjithë parkun në Nivicë, ku mund të arrija deri në 20 kilogramë për koshere, por kjo kërkon mbështetje më të madhe”, shton ai.
Bletarët marrin subvencione nga shteti, por sipas Llanajt, ato janë të pamjaftueshme, sidomos për kostot e larta të transportit dhe shtegtimit: “Kosova është më përpara se ne në këtë drejtim. Na duhet edhe ngritja e laboratorëve për certifikimin e mjaltit, që do të ndihmonte hapjen e tregut për eksport”.
Aktualisht, mjalti i prodhuar në këtë zonë shitet vetëm në tregun vendas, por një pjesë e mirë shkon edhe për emigrantët, të cilët i marrin porositë nga jashtë vendit.
Top Channel