“Nga Zeqineja që sikterisi Maldriten, te Sara që zuri vendin e Dashit”, satira e Gjekmarkaj për mbylljen e Parlamentit: Kryezëvendës lideri Muli dhe shefe Albana….

05/07/2025 13:20

Nga Agron Gjekmarkaj

Kam marrë shumë mesazhe këto ditë nga miqtë e kronikës, të cilëve në ethet e mëdha të fushatës që sapo kaloi mezi u pritej rikthimi i saj.

Madje njëri syresh më tha mezi po durojmë o qerrata deri në shtator  kur kronika të pasurohet me personazhet e rinj, që duket sikur janë krijuar fiks për të.

Ju rritë ndera, Zoti ja shtoftë erzin Babos teksa qëndiste listën e deputetëve bashkë me Borën, mendonte edhe për këtë platformë të humorit të lirë.

Madje ai po me kërkon ndihme konstante duke ja njohur autoritetin  kësaj strukture të posaçme antiserioziteti për të kompozuar qeverinë e re, për të shuar epshe e ndezur ëndrra! Nuk ja bëj kurrë hallall që më largoi Mimi di Puccini-n, xha Pandin, e ndonjë tjetër!

Një brengë e madhe i mundon kolegët socialistë sidomos por edhe njerëzinë mbarë, se a do të tregohet kronika mjaftueshëm bujare me personazhe si Zeqineja e Roskovecit që në Parlament vjen pasi sikterisi Maldritën e Lushnjës, Sara e Peqinit dhe Cërrikut që i duhet të zëvendësojë një estet të sharmit, veshjes harmonike e gjetjeve bizarre Dashin tonë, apo Ilva Gjuzin e katundeve të Tiranës, që Babo i ka caktuar detyrën të zëvendësojë njeriun e Perëndisë Tonin dhe brigadier Xhemalin xhanan burrë, që Peza dhe Dajti të mos mbeten kurrë pa nizam?!?

Disa të tjerë rrinë e mejtojnë për vendin që do të ketë në kronikë Neta e Patosit që me tortën “Belinda” ia doli të rrijë edhe 4 vjet në mejhanen e kuvendimit të halleve popullore, Dilo Nasufi sojliu i Beratit që e bren ndërgjegjja si do t’ia bëjë pa shokët, Bafton, Petron, që ia morën këto zgjedhje, si do të duken Pirdeni e Lluka në banakun e qeverisë, Blendi Klosi që në Dibër iu thoshte njerëzisë jam nga Klosi siç kam mbiemrin, Shalsi që së fundmi ka zbuluar origjinën e të parëve nga Hasi kushëri me Pjeter Bogdanin te dy poet?!

E mbi të gjitha si do i ndajë raportet e përfaqësimit në “Kronikë” mes Mamices kadareane dhe Beles së pushtetit të vërtetë?

Apo si do i shkoqisë thërrimet Tao me Ulsinë, Nikoqiri me Damon, Vini me Buqeten gonxhe?!

Po me Tezen sa mike e kam patur dikur e më bren ndërgjegjja për darametet qe i kam shtuar ç’do bëhet, kush do e ngushëllojë, ku do të jetë Ogi dhe mbi të gjitha çfarë do të bëjë Bora në shtator, e cila ëndrrat e verës i thonë që do të jetë prapë aty pranë Babos në ndonjë ofiq më të madh se helbete dikasteri i fëmijëve i rri i vogël shtatlartësisë së saj politike.

Në këtë lumë mendimesh të pështjelluara për personazhet e kronikës, si vëllezërit e mi opozitarë duken indiferentë, megjithëse qejfi ua ka e xhani ua do kur kronika kujtohet për ta sidomos kur ua lavdëron betejat epike kundër Babos si luftëtarë të virtytit kundër vesit?!

Kryezëvendës lider Muli një mik i besës dhe shefe Albana, megjithëse më pranojnë tashmë në mesin e tyre me ca doza dyshimi, më hodhën një shikim kritik në seancën e fundit, kur goja lëng më shkonte për një copë kek, si për të thënë bëre ç’bëre këto vite që ikën, na theve zemrën tani thirri mendjes dhe lëri kronikat së shkojnë ca te Doktori e i thonë ja ai veç tallet!

Megjithëse Doktori i njeh i respekton trillet e njerëzve të fjalës, narcizmin e tyre të padëmshëm!

Lideri në perspektivë miku tjetër si zog dreqit Gazi i murrëtyer, rri mejtueshëm duke përgatitur arsenalin për t’i vënë zjarrin parlamentin e qeverisë së shtatorit, ndërsa Jorushi i Tabakëve ah Jorushi i Tabakeve ka shpallur kandidaturën për të qenë kryetare e komisionit europian, se jeta e saj humbet kuptimin pa histori negociatash, përafrimesh e përlargimesh, njerëzia ka vërtetë halle të tjera, por motoja e PD “Shqipëria si gjithë Europa” e lë pa gjumë! Ajo pulit sytë e fle vetëm kur Shqipëria gërhet e patrazuar!

Kronikes nuk i mungojnë sfiduesit, qortonjësit e ziliqaret! Një grua e maxhorancës mw tha hoqe e vure ministra këta vjet por Etilden se mbajte dot deputete paçka se ja përkufizove melankolinë e pikëllimin për “Shqipërinë 2030”në Kuvend por ja “Kronika” është si jeta histori suksesi e dështimesh!

Por, krahas miqve kronikës i janë ofruar këto kohë edhe disa aspirantë levender të vërtetë ne profesionin e tyre, si Fatjon Binjaku, Mane Stafa, Ermal Syziu, Isë Myzyraj, Ardit Hoxha apo Marash Logu, këshilltari jonë i ligjeve të botës së këndejme dhe andejme që po i the shëndet plaç ta kthen! Në pak vite do bëhet një Gaz Bardh i vërtetë sidomos në dhembshuri e marifet!

Everest Dedaj pasi u shfaq me dy pisqolla duke i hapur rrugën Gazit në Rinas ka rënë në dileme të qëndrojë tek penda apo t’ia vërtisë me pushkë si mirditor zamani që është?!

Qerratenj e qafirë të mëdhenj siç janë më shkruajnë shpesh, por gjithnjë fshehurazi sugjerime për kronikën.

I bren mendimi se po ta marrin lapsin e të shkruajnë vetë ndonjë kronikë, njerëzia nuk do t’i marrë seriozisht e ngaqë duan të duken shumë serioz e të ditur, me shikim të mprehtë e çehre të rëndë, nuk ia lejojnë vetes këtë liri të tepruar.

Vatani ka halle e ata ja qajnë ndaj duan të qeshin me harxhet e mia shejtanët!

Nuk janë si Kosta, të cilin dje e pyeta të të lë baxhier në ziafetin socialist, të tundesh llallë me dybek ani pse akademik i vërtetë dhe havardist, apo të vë Genc Gjonçajn si më i dhënë pas punës fizike, si jo tha, nuk refuzohet kurrë një rrol në Kronikë! Ja kësaj i them vetëdije e lartë unë!

Autori i kësaj kronike që e di mirë se këtyre të uruarve u vlon dëshira që një ditë të jenë aty mes mejhanes së kuvendit popullor, nuk ua zë për të madhe dhe i pret me buzëqeshje sugjerimet e tyre që shpeshherë jo për kronikë, por nuk vlejnë as për diktim te klasat e Akademisë rilindase socialiste në orët e mësimit të presor Çuçi dhe zyshë Etildës.

Nejse, kështu duket se do ta çojë Kronika këtë verë me miq dhe aspirantë, personazhe të vjetra dhe të rinj, që të gjithë me merakun se si do i vejë halli kësaj pune dhe si do duket ajo në vjeshtë?!

Nga  shtatori fillon mandatin e dytë, pavarësisht se në fletën e votimit nuk e kishin vënë kronikën kandidat as në të mbyllur, e as në të hapur, kronika ishte e kudogjendur me autorin dhe personazhet e saj, ndërsa për votues ishin lexuesit e saj në gazeta, portale e rrjete sociale që mezi presin episodin e radhës të kësaj hapësire gazmore në një sistem të ashpër politik.

Kur e pyetën autorin e Kronikes  gjatë zgjedhjeve në fshatin Ferrë Trashë të Mamurrasit ç’janë ato që shkruan, u përgjigj me droje për pyetjen gjysmë kurioze e gjysmë kritike se ato janë humor për të thënë gjëra shumë serioze. Për pak pritet të kthehet Ervin Salianji që si Robin Hudi jua merr të pasurve dhe u jep të varferve, po ashtu edhe ai ku gjen të mërzitur i gëzon dhe ku gjen te gëzuar i mërzit, duke na dhuruar secilit shqetësimin që na duhet!

Hë doni më për Belulin dhe miqtë e tij?

Top Channel