Interi drejt goditjes së bujshme në merkato, klubi zikaltër mendon për transferimin e portierit të kombëtares gjermane

05/07/2025 13:33

Marc-André ter Stegen mund të jetë emri i madh që do të mbrojë portën e Interit sezonin e ardhshëm, nëse Yann Sommer pranon ofertën e joshëse të Galatasarayt.

Sipas të përditshmes katalanase Sport, portieri gjerman ndodhet në një situatë të tensionuar me Barcelona-n, pas mbërritjes së Joan Garcia-s dhe planit për transferimin e Wojciech Szczesny-t, që do ta ulnin rolin e Ter Stegen në portier të tretë – një status i papranueshëm për një emër të tillë.

Drejtuesit e Interit thuhet se po e ndjekin me vëmendje situatën e 33-vjeçarit, duke e konsideruar atë si zëvendësuesin ideal për Sommer nëse ai largohet. Interi kërkon një portier me përvojë dhe garanci të lartë për të mbajtur nivelin e lartë në Serie A dhe Ligën e Kampionëve – një profil që Ter Stegen e përmbush plotësisht.

Gjermani thuhet se do të ishte i hapur ndaj një transferimi te Interi, nëse arrin një ofertë zyrtare, sepse projekti sportiv i klubit italian përputhet me ambiciet e tij për të qëndruar në elitën e futbollit evropian dhe në Ligën e Kampionëve.

Edhe pse kontrata e Ter Stegen skadon në vitin 2028, Barcelona raportohet se do të ishte e gatshme të negociojë një ndërprerje të parakohshme, duke e lejuar atë të largohet si transferim i lirë, për të shmangur tensionet e mëtejshme dhe për të liruar fondet e pagave.

Top Channel