
Në Portin e Durrësit, ditët e para të korrikut kanë nisur me fluks të shtuar lëvizjesh mes brigjeve të Adriatikut.
Edhe masat për menaxhimin e pasagjerëve janë shtuar. Në gjashtë muajt e parë të këtij viti, përmes këtij porti kanë udhëtuar mbi 241 mijë pasagjerë, shifër që shënon një rritje prej 6.7% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Sipas statistikave të Autoritetit Portual, nga janari deri në qershor, në hyrje janë regjistruar 112,194 persona, ndërsa në dalje 129,296.
Vetëm shtetasit e huaj që kanë hyrë në vend përmes Portit të Durrësit janë rreth 47 mijë, me një rritje prej 10% në krahasim me një vit më parë. Edhe numri i të huajve që kanë dalë nga vendi ka shënuar rritje, duke kapur shifrën e 51 mijë udhëtarëve, me një rritje prej 2%.
Numri i vizitorëve që mbërrijnë për pushime është në rritje, por edhe kërkesa e shqiptarëve për të udhëtuar jashtë, qoftë për turizëm apo për të vizituar të afërm, mbetet e lartë.
Porti i Durrësit, një ndër nyjat kryesore të lëvizjes turistike në vend, po pritet të shënojë një tjetër rekord veror në fluksin e pasagjerëve këtë vit.
Top Channel