
Një vajzë 9-vjeçare ka ndërruar jetë pasi nëna e saj dyshohet se e ka lënë në makinë në vapën e Teksasit për të shkuar në punë, në një turn 8 orë.
Të martën, më 1 korrik, policia mori një telefonatë për një fëmijë të pandjeshëm brenda një makine të bardhë në një parking. Vajza e vogël u dërgua në një spital lokal ku u shpall e vdekur, tha Zyra e Sherifit të Qarkut Harris në një deklaratë të ndarë në Facebook.
“Jam jashtëzakonisht i mërzitur dhe i zhgënjyer që një vajzë e vogël 9-vjeçare dhe e bukur humbi jetën pa asnjë faj të sajin”, tha Sherifi Ed Gonzalez në një konferencë për shtyp. “Nuk ka kurrë justifikim për të lënë një fëmijë pa mbikëqyrje”, tha ai.
Nëna 36-vjeçare dyshohet se e la të bijën në makinë në parkingun e fabrikës ku punon. Nëna i mbante dritaret pjesërisht të ulura dhe linte ujë në automjet, tha Gonzalez.
Autoritetet thanë se nuk ishte e qartë nëse vajza u kontrollua gjatë gjithë ditës apo nëse doli nga makina në një moment të caktuar. Në xhamin e përparmë kishte një tendë dielli, e cila mund t’i ketë penguar kalimtarët të shihnin vajzën e vogël brenda, tha Gonzalez. Ai vuri në dukje se temperatura jashtë ishte rreth 36 gradë Celsius.
Top Channel