
Kjo është stalla e Ylli dhe Desara Jangozit nga fshati Suk Vendas i Fushë-Krujës.
Para se të murtaja të vinte në këtë fermë, gjithsej këtu ishin njëqind krerë dele, ndërsa sot nuk dëgjohet asnjë blegërimë dhe fajin për këtë e ka murtaja që shfarosi bagëtinë.
“Sa e rregulluam pak situatën që filluam të shesim qumështin dhe qengjat, na ra kjo sëmundja – murtaja. Nëse llogarisim dëmin pa përfshirë ushqimin, shkon diku te 50 mijë euro”, shprehet fermeri.
Pas asgjësimit të kafshëve të infektuara, stresi më i madh për këtë çift fermerësh është situata financiare, pasi jo vetëm që nga kjo fermë nuk do të prodhojnë asnjë të ardhur, por mbi ta rëndon edhe një kredi të cilën e morën për të ndërtuar stallën.
“Nuk kemi të ardhura të tjera, nuk kemi biznese të tjera, plus që kemi borxhe dhe kredi. Kam marrë 50 mijë euro kredi dhe këstin në muaj e kam 430 mijë lekë”, thotë ai.
“Duhet të dëmshpërblehemi që të rimëkëmbemi dhe të zgjerojmë stallën”, thotë Desara Jangozi.
“Ja, ky është silazhi dhe ky ka një veti: nëse nuk konsumohet, prishet dhe kthehet në pleh. Nëse unë nuk dëmshpërblehem tani, do të shes traktorin për të paguar kredinë, e më pas do të shkoj në emigrim. Gjithashtu do të vë fermën në shitje. Por nëse dëmshpërblehem, do të vazhdoj punën me blegtorinë”, shton fermeri.
Kjo nuk është çfarë kërkon ky fermer, pasi kjo stallë për të është vetë familja e tij. Jo më kot në mur qëndrojnë të shkruar emrat e tre fëmijëve, sepse falë blegtorisë ai u siguroi shtëpinë dhe ushqimin.
Top Channel