‘Ngërçi’ në kuvendin e Kosovës/ Osmani takim me partitë politike: Lejohet votimi i fshehtë, por duhet konsensus

04/07/2025 12:33

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani që po zhvillon takime konsultative me partitë politike për t’i gjetur zgjidhje ngërçit politik, të premten ka folur mbi aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese.

Sipas presidentes, votimi i fshehtë lejohet por për këtë duhet të ketë konsensus.

“Lejohet si mundësi, por para se të shkohet te një hap i tillë duhet të ketë vendim të seancës për një hap të tillë. Rrjedhimisht duhet të pyetet Kuvendi, të pyeten deputetët a jeni pro një vendimi të tillë apo jo”, tha Osmani.

Osmani e sheh si joracionale bllokadën e krijuar për shkak të mënyrës së votimit, derisa shton se partitë kryesore kanë qëndrime diametralisht të kundërta mbi aktgjykimin e Kushtetueses.

Partitë kryesore kanë qëndrimet ende do të thoja diametralisht të kundërta, por kjo nuk do të thotë se brenda këtij afati nuk do të thotë që brenda këtij afati nuk do të ketë afrim, ka për disa gjëra që mund të ketë pajtim”, deklaroi presidentja.

Presidentja planifikon t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese me kërkesën për sqarim për procedurën e pasojat nëse Kuvendi nuk konstituohet brenda afatit të përcaktuar.

Unë planifikoj që nëse nuk ka konstituim të Kuvendit shumë shpejt t’i drejtohem gjykatës me kërkesë për sqarim lidhur me atë se cka pas 30 ditësh, sepse duhet të sqarohet se cila është pasoja juridike e moskryerjes së detyrimit kushtetues të konstituimit të Kuvendit brenda 30 ditësh, sepse duhet të ketë pasoja”, u shpreh Osmani.

Duke cituar aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, Presidentja Osmani tha se me moskonstituimin e Kuvendit të Kosovës është bërë shkelja më e madhe e Kushtetutës së vendit, për shkak që deputetët nuk e kanë përmbushur obligimin e tyre. Sipas saj, “kur një shtet nuk ka Kuvend, nuk mund të flitet për demokraci”.

Jemi në një situatë ku kemi erozion demokratik, kur po rrezikohet demokracia dhe shpresoj se secili deputet individualisht dhe secila parti në vetvete ta kenë parasysh dëmin që po u bëhet interesave të qytetarëve nga moskonstituimi i institucioneve”, tha presidentja.

Gjykata Kushtetuese një javë më parë nxori vendim me të cilin obligon deputetët të konstituojnë Kuvendin e Kosovës më së largu deri më 26 korrik.

Top Channel