Gjithçka ndodhi brenda një viti, futbollisti i njohur i akuzuar zyrtarisht për përdhunim

04/07/2025 19:32

Ish-mesfushori i Arsenalit dhe përfaqësuesi i Ganës, Thomas Partey, është zyrtarisht i akuzuar për pesë raste përdhunimi dhe një rast sulmi seksual nga Policia Metropolitane britanike.

Sipas autoriteteve, veprat penale të dyshuara kanë ndodhur në periudhën 2021-2022 dhe përfshijnë tre gra të ndryshme. Dy akuza për përdhunim lidhen me një grua, tre të tjera me një grua të dytë, ndërsa akuza për sulm seksual lidhet me një grua të tretë.

32 vjeçari, i ka mohuar të gjitha akuzat përmes përfaqësueses së tij ligjore, avokates Jenny Wiltshire, e cila deklaroi se “ai mirëpret mundësinë për të pastruar më në fund emrin e tij” dhe se ka bashkëpunuar plotësisht me hetimet e policisë dhe Prokurorisë së Kurorës.

Getty Images Thomas Partey me uniformën e Arsenalit

Hetimi ndaj Partey-t nisi në shkurt të vitit 2022, pasi policia mori një raport fillestar për përdhunim. Autoritetet konfirmuan se futbollisti do të dalë para Gjykatës së Magjistraturës së Westminsterit më 5 gusht.

Ndërkohë, kontrata e Partey-t me Arsenalin përfundoi të hënën, duke i dhënë fund një qëndrimi katërvjeçar në “Emirates”, pas transferimit të tij nga Atletico Madrid në vitin 2020 për 45.3 milionë funte.

As Arsenali dhe as Shoqata e Futbollit nuk kanë komentuar zyrtarisht mbi rastin. Premier League gjithashtu nuk pranoi të japë një qëndrim.

Top Channel