“E di ku jeton, do të të përdhunoj dhe do të të vras”/ Ish-Miss Italia kërcënohet në rrjetet sociale, arrestohet autori

04/07/2025 09:31

Francesca Bergesio, fituesja e kurorës së Miss Italia 2023, dhe babai i saj, senatori i Ligës Veriore Giorgio Maria Bergesio, u bënë objekt i kërcënimeve të rënda në rrjetet sociale nga një 32-vjeçar nga Lombardia, i cili vepronte nën një profil të rremë në Facebook me emrin e një gruaje.

“E di ku jeton, do të vij të të përdhunoj, do të të vras ty dhe babanë tënd”, ishin disa nga mesazhet tronditëse të dërguara në dhjetor 2023, që çuan në nisjen e një hetimi të përbashkët nga Policia Postare dhe Skuadra Fluturuese e Cuneos, nën drejtimin e zëvendësprokurores së Astit, Laura Deodato.

Autori u identifikua dhe përfundoi në gjyq me akuzën e kërcënimeve të rënduara. Së fundmi, ai është shpallur fajtor, por pasi pranoi fajësinë dhe pagoi një kompensim, dënimi prej 3 muajsh burg u konvertua në 180 orë shërbim ndaj komunitetit.

“Isha e frikësuar. Ai shkruante se e dinte ku jetoja. E imagjinoni sa e vështirë është ta përballosh këtë kur je vetëm?”, rrëfeu Francesca Bergesio, e cila tashmë është aktive si aktore dhe modele. Ajo kujtoi se ishte në fillimet e saj si Miss Italia kur ndodhi ngjarja dhe se ishte nëna e saj ajo që lexoi mesazhin e parë alarmues, ndërsa administronte profilin në Facebook.

“Për herë të parë, ndjeva realisht se çfarë do të thotë të jesh viktimë e kërcënimeve. Mendoja vazhdimisht: ‘Françeska, ai e njeh shtëpinë tënde’”, tha ajo, duke nënvizuar se përvoja e ka bërë edhe më të ndërgjegjshme për temën e dhunës me bazë gjinore.

Ish-Miss Italia theksoi se gjatë garës për kurorën kombëtare kishte zgjedhur të fliste pikërisht për dhunën gjinore, përmes një monologu të përgatitur posaçërisht për këtë temë. “E raportova për të mirën e të gjithëve. Sot jam edhe më e bindur për rëndësinë e kësaj beteje”, deklaroi ajo.

Ngjarja ka nxitur edhe një herë debatin për sigurinë e grave në internet, si dhe për rëndësinë e adresimit serioz të kërcënimeve në rrjetet sociale, të cilat gjithnjë e më shpesh kalojnë kufijtë e fjalëve dhe shndërrohen në frikë reale për viktimat.

Top Channel