
Në mbledhjen e fundit të Këshillit Bashkiak te Durrësit, u miratuan dy vendime të rëndësishme, që lidhen me zhvillimin e zonës multifunksionale përreth stadiumit “Niko Dovana” dhe ndërtimin e një parku fotovoltaik në Spitallë. Por diskutimet në sallë nuk kaluan pa kritika nga opozita.
“Ne si opozitë votojmë kundër dhe kërkojmë të shihet me kujdes kalimi I pronësisë mbi tokën në zonën rreth stadiumit”, tha Ardian Muka, këshilltar i PD.
“Të pretendosh që korporata e investimeve shqiptare dhe FSHZH nuk janë serioze duhet bazuar në prova”, tha Joniada Musaraj, këshilltare e PS.
Zona përreth stadiumit “Niko Dovana” pritet të marrë një funksion të ri urban. Mbi 66 mijë metra katrorë truall dhe sheshe në pronësi të bashkisë sipas vendimit, të miratuar me shumicë votash, do të vendosen në funksion të këtij investimi.
Përveç këtij vendimi, Këshilli Bashkiak miratoi edhe marrëveshjen për ndërtimin e parkut fotovoltaik 100 megavatësh, në bashkëpunim me kompaninë “Spitalla Solar” sh.p.k. Ndryshe nga vendimi për stadiumin, investimi për parkun u miratua unanimisht dhe pa diskutime. Ky park synon të fuqizojë burimet e energjisë së gjelbër, duke shfrytëzuar infrastrukturën ekzistuese të ujitjes dhe kullimit që do të vihet në dispozicion të investitorit.
Ndërkaq këshilltari i opozitës Sami Osmani i dha zë disa problemeve të banorëve të zonës së ish- Kënetës apo e njohur ndryshe si Durrësi i Ri, duke kërkuar shpjegime nga Bashkia.
“Ka probleme me ujin e pijshëm, mosdhënien e dëmshpërblimit për përmbytjet e janarit dhe infrastrukturën rrugore”, tha Sami Osmani, këshilltar i opozitës.
“Sipas UKD nuk ka probleme me ujin e pijshëm, kanë përfunduar akt-konstatimet dhe vlerësimet e dëmeve nga përmbytjet dhe do të likujdohen me faza për shkak të vlerës së madhe…”, tha Gentian Kallmi, Nënkryetar i bashkisë Durrës.
Vendimet sjellin një qasje të re për zhvillimin e qytetit, që kombinon infrastrukturën urbane me teknologjinë moderne dhe energjinë e pastër, por ndërsa Durrësi bëhet gati për këto projekte strategjike, qytetarët durrsakë presin zgjidhje të prekshme për problematikat e tyre të përditshme.
Top Channel