“Drejtorët koka turku”, Berisha: Kryeministri ndërhyrje brutale në punët e pushtetit vendor

04/07/2025 13:00

Sali Berisha nuk e sheh si një mundësi të mirë për opozitën, nëse Tirana shkon në zgjedhje për kryebashkiakun e ri.

Ndërsa dorëheqjen e drejtorëve të Bashkisë Vlorë, një ditë pas takimit me Ramën, kreu i opozitës e lidh me zjarrin në Elbasan.

“Zgjedhjet në Tiranë dhe kudo që të zhvillohen janë farsë elektorale, vetëm farsë. Shkarkimi i drejtorëve në Vlorë është një akt tjetër i kokave të turkut. Nuk ka asnjë tagër kushtetues, ligjor, as marrëveshje ndërkombëtare, që kreu i narkoshtetit të ndërhyjë në mënyrë brutale në kompetencat e qeverisë vendore”, tha Berisha.

Pas disa ditësh pauze, për shkak të pjesëmarrjes në Asamblenë Parlamentare të OSBE, Sali Berisha iu rikthye denoncimit me video të zgjedhjeve të 11 Majit, që sipas tij, dëshmojnë atë që ai e quan farsë elektorale.

“Sot, këtu kemi video, nga një seri qendrash të Bashkisë së Krujës, ku ju do të shihni se si u votua në këtë bashki, ose qytetarët votonin kolektivisht, ose votonin duke patur kamerat mbi kokë, në mënyrë që t’u lexohej vota. Kjo është fshehtësia e votës”, tha kreu i opozitës.

Kreu i Partisë Demokratike uroi popullin amerikan dhe Presidentin Donald Trump për Pavarësinë, por nuk pati një urim për Ramën, që feston sot ditëlindjen.

 

Top Channel