“Brenda dy javësh inventarët”, Rama: Ata që kanë vepruar në dëm të komunitetit të nisin të mbledhin plaçkat, boll është boll!

04/07/2025 13:13

Kryeministri Edi Rama u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që kanë vepruar në dëm të komunitetit që të ‘mbledhin plaçkat’.

Ata që i kanë kthyer territoret në ‘’tokë e xanun’ do të përballen me inspektoratet, policitë bashkiake dhe Policinë e Shtetit dy javët e fundit të korrikut.

Kryeministri Rama kishte edhe një mesazh për inspektorët e bashkive të IMT-ve.

“Duke shpresuar që edhe këta inspektorët e bashkive të IMT-ve, do të vrapojnë shumë këto dy javë që pastaj mos ballafaqohen dhe ata me faktet e syve të tyre të mbyllur, gjë që do t’i çojë në situata të papëlqyshme, edhe ligjore, po të jetë nevoja”, tha Rama.

Edi Rama: Sepse ato 83 mandate janë një arsye më shumë për të fjetur dhe më pak se ç’kemi fjetur, kush në fakt nuk ka fjetur, se ka pasur nga ata që kanë fjetur, edhe nuk e kanë prishur gjumin fare për hir të të vërtetës, por kjo është një histori tjetër dhe brenda dy javësh duhet të kemi inventarët e të gjitha zonave në këto qytete. Duhet të kemi inventarët e të gjitha këtyre kleçkave që ia kanë nxirë jetën banorëve në këto qytete që u kanë nxjerrë komuniteteve të moshuarve, prindërve, fëmijëve dhe që i kanë kthyer territore të tëra në ‘’tokë e xanun’’ në mënyrën më të padrejtë, që të bëhemi gati dhe në dy javëshin e dytë të korrikut, do të vazhdojmë pastaj, për të mos u ndalur më me të gjitha forcat e ligjit, me të gjitha inspektoratet, me të gjitha forcat e policive bashkiake dhe policisë shtetit për ta ngritur një herë mirë në hava këtë ‘’shtëpinë’’ tonë të përbashkët, njësoj siç amvisat ngrenë në hava shtëpinë, ku bëjnë atë pastrimin gjeneral të muajit dhe nga ana tjetër u bëj thirrje edhe një here, e përsëris, të gjithë atyre që janë të keqkuptuar, por që fatkeqësisht ia kanë dalë për një kohë jo të vogël që të bëjnë para’ dhe të bëjnë fitime në dëm të komuniteteve, që të fillojnë të mbledhin plaçkat.

Fillojnë të mbledhim plaçkat, sepse boll është boll, boll është boll. Arsyet që dihen dhe nuk dua t’i komentoj. më kanë bërë që të jem shumë më pranë Tiranës, të jem shumë më pranë banorëve, marr shumë më tepër se ç’kam marrë deri para disa kohësh; edhe mesazhe, edhe ankesa, edhe kërkesa dhe e kam shumë, shumë të fortë detyrimin që në radhë të parë në Tiranë, në Vlorë, në Durrës, ku kam marrë mbështetje edhe personalisht, të jem të jem gati për t’iu dhënë përgjigjen që ata kërkojnë dhe mbi të gjitha, përgjigjen që është një përgjigje e interesit publik të përbashkët, e interesit komunitar të përbashkët.

Kështu që duke shpresuar që edhe këta inspektorët e bashkive të IMT-ve, do të vrapojnë shumë këto dy javë që pastaj mos ballafaqohen dhe ata me faktet e syve të tyre të mbyllur, gjë që do t’i çojë në situata të papëlqyshme, edhe ligjore, po të jetë nevoja si dhe duke i kërkuar policisë shtetit, të vazhdojë të këmbëngulë në rritjen e vigjilencës për çdo ndërhyrje pa leje, i uroj të gjithëve një ditë mbarë dhe faleminderit gjithë atyre që më kanë çuar urime sot po kur vjen ajo, kur vjen prefiksi i gjashtë, mua më duket se s’është më nevoja për të bërë festa ditëlindjesh. Me të mirat e tërëve edhe të jeni të bindur që më e mira është e gjitha përpara.

Top Channel