Vdekja tragjike e Diogo Jotës që tronditi botën e futbollit, reagon Federata Portugeze: Jo vetëm një lojtar i jashtëzakonshëm…

03/07/2025 11:01

Pas lajmit tronditës për vdekjen e Diogo Jotës, sulmuesit të Liverpoolit, dhe vëllait të tij André Silva, Federata Portugeze e Futbollit ka reaguar me një deklaratë prekëse, duke shprehur dhimbjen e thellë për humbjen e dy figurave të çmuara të futbollit portugez.

Në deklaratën zyrtare thuhet: “Federata Portugeze e Futbollit dhe gjithë futbolli portugez janë thellësisht të tronditur nga vdekja tragjike e Diogo Jotës dhe André Silvës, këtë mëngjes në Spanjë. Më shumë se një lojtar i jashtëzakonshëm me gati 50 ndeshje me kombëtaren A, Diogo ishte një njeri i jashtëzakonshëm, i respektuar nga bashkëlojtarët dhe kundërshtarët, i njohur për gëzimin ngjitës dhe si një figurë shembullore në komunitet.”

Presidenti i Federatës, në emrin e tij dhe të institucionit që përfaqëson, shprehu ngushëllimet më të sinqerta për familjarët, miqtë dhe klubet e lojtarëve – Liverpool FC dhe FC Penafiel.

Federata ka kërkuar zyrtarisht nga UEFA mbajtjen e një minute heshtjeje për nder të Diogos dhe Andrés, përpara ndeshjes që do të luajë kombëtarja portugeze e femrave ndaj Spanjës, këtë të enjte në kuadër të Kampionatit Evropian.

“Kemi humbur dy kampionë. Humbja e Diogo Jotës dhe André Silvës është e parikuperueshme për futbollin portugez dhe do të bëjmë gjithçka për të nderuar përditë trashëgiminë e tyre,” – thuhet në fund të deklaratës.

Top Channel