
Pas ditësh tensionesh dhe deklaratash të ndërsjella në distancë, Lautaro Martinez dhe Hakan Calhanoglu kanë vendosur më në fund të komunikojnë drejtpërdrejt, përmes një bisede telefonike që synon të ulë tensionet në kampin zikaltër.
Përplasja mes kapitenit dhe mesfushorit të Interit nisi në mënyrë publike – përmes intervistave, rrjeteve sociale dhe reagimeve të menjëhershme – por të dy lojtarët tani kanë tentuar të sqarojnë pozicionet e tyre në mënyrë private, larg vëmendjes së publikut.
Megjithatë, nuk bëhet fjalë për një pajtim të plotë. Marrëdhënia mbetet e tendosur, por biseda ka shërbyer për të shpjeguar origjinën e deklaratave dhe reagimeve që krijuan një atmosferë të rënduar te Interi. Në mes të kësaj përplasjeje qëndrojnë edhe trajneri Cristian Chivu dhe drejtuesit e klubit, të cilët besojnë se gjithçka mund dhe duhej të menaxhohej brenda dhomave të zhveshjes.
Like-u i Marcus Thuram, i lënë në një postim kritik ndaj Lautaros dhe ende i paparë, ka hedhur më shumë benzinë mbi zjarrin, duke krijuar një tension që, sipas drejtuesve të Interit, po ndikon negativisht edhe në merkaton verore.
Por telefoni në zyrat e Interit nuk është “i nxehtë” vetëm për përplasjen Lautaro-Calhanoglu. Në ditët në vijim pritet një tjetër kontakt kyç: drejtuesit zikaltër do të takohen me Gordon Stipic, agjentin e Calhanoglu-t, i cili është duke punuar për transferimin e tij te Galatasaray.
Deri tani, lojtari nuk është shprehur hapur për një largim, duke preferuar të qëndrojë në një pozitë neutrale. Në rrjetet sociale ka lënë një koment të paqartë: “Do të shohim”, që mund të lexohet në shumë mënyra – një lëvizje që i lë dyert hapur për çdo skenar.
Nga ana tjetër, Interi e ka bërë të qartë që nuk do ta lejojë largimin pa një shumë të konsiderueshme: klubi nuk pranon as largim me parametra zero dhe as një ofertë të ulët. Gjithsesi, ka një zhvillim të ri: çmimi i mesfushorit është ulur nga 35-40 milionë euro në rreth 30 milionë euro.
Nëse Galatasaray e arrin këtë shifër, negociatat mund të hapen zyrtarisht – dhe madje të mbyllen me shpejtësi.
Top Channel