
Njëmbëdhjetë të burgosur politikë rusë u kanë shkruar një letër të hapur udhëheqësve botërorë duke kërkuar, si pjesë të negociatave midis Moskës dhe Kievit, lirimin e të gjithë disidentëve që ndodhen pas hekurave në Rusi për arsye politike, si dhe të gjithë civilëve ukrainas të ndaluar nga Moska gjatë pushtimit të Ukrainës nga trupat e Kremlinit.
Letra u botua nga Reuters në faqen e saj të internetit, ku tregon qartazi kërkesën e tyre:
“Ne u bëjmë thirrje të dyja palëve të negociatave midis Rusisë dhe Ukrainës që të vazhdojnë menjëherë me një shkëmbim të të burgosurve të luftës dhe civilëve sipas formulës ‘të gjithë për të gjithë’, përfshirë pengjet civile ukrainase“, thuhet në letër, sipas së cilës të burgosurit politikë dhe civilët ukrainas të ndaluar nga qeveria ruse janë të paktën 10,000.
“Jemi të paktën 10,000 prej nesh, të burgosur politikë rusë dhe pengje civile ukrainase. Ne të gjithë ndëshkohemi për një gjë: për mbajtjen e një qëndrimi qytetar“, shkruan 11 të burgosurit politikë që nënshkruan letrën.
Midis tyre është Alexey Gorinov, 63 vjeç, figura e parë e opozitës ruse që u dënua me burg sipas ligjit të mbylljes së gojës që parashikon deri në 15 vjet burg për ata që kritikojnë agresionin ushtarak të Putinit.
“Institucionet e të drejtave të njeriut në Rusinë moderne janë zëvendësuar plotësisht nga organe që thjesht imitojnë aktivitetet e të drejtave të njeriut. Si rezultat, shëndeti dhe jeta e të burgosurve janë në rrezik, dhe tortura dhe presioni ndaj tyre shpesh nuk hetohen ose ndëshkohen”, thuhej në letrën e publikuar në faqen e internetit të Reuters.
Dokumenti gjithashtu thoshte se “të burgosurit politikë më shpesh se të tjerët mbahen në kushte më të ashpra dhe privohen nga mundësia e lirimit me kusht dhe lehtësimit ligjor të regjimit të burgut” dhe se “praktika e fillimit të procedurave shtesë penale bazuar në ankesat e të burgosurve të tjerë është bërë e zakonshme”.
Top Channel