
Nga Auron Tare
Është një vapë përvëluese në Postën e Kalimit të Tre Urave. Ata pak policë në shërbim janë ulur në një hije dhe bisedojnë me njëri-tjetrin nën zhurmën shurdhuese të gjinkallave. Rrallë, shumë rrallë kalon ndonjë makinë nga kjo postë e vogël mbi Lumin e Sarandaporit. I përshëndes policët dhe i pyes nëse mund të kaloj Traun për të bërë ca foto këmbëve të Urës së dikurshme. “Patjetër” më thonë. Lë makinën dhe eci në këmbë. Ura e Re, bërë me fondet e BE-së, nuk e ka bukurinë e Urës së dikurshme prej guri të ndërtuar nga mjeshtrat e zonës. Gjinkallat janë në kulmin e tyre dhe Ura e Re është e shkretë. Aty ku është një piramidë e vogël ndaloj dhe bëj disa foto. Kam kaluar shpesh këtu dhe e njoh mirë zonën. Por sot dua të shikoj me vëmendje nëse ka mbetur ndonjë gjurmë nga godinat e dikurshme në të dyja krahët e Lumit. Këmbët e Urës së Peratit, një nga Tre Urat që dikur përdoreshin për kalimin e brigjeve shkëmbore të Lumit të Sarandaporit, janë ende të dukshme. Të mbuluara nga vegjetacioni mund të shikohen nga ata që kërkojnë t’i gjejnë. Koha dhe ndërhyrjet e ushtarake gjatë kohës së Luftës së Ftohtë i kanë zhdukur godinat e vjetra të Doganës që dikur ishin nga të dyja krahët e Lumit. Fshati i vogël i Peratit nuk është më, pasi banorët u shpërngulën kur këtu u vendos Kloni i Luftës së Ftohtë. Ura e Peratit mund të jetë (ishte) ndoshta ura më e famshme e Shqipërisë në mesin e shek. të XX. Prej këtej nisi një prej sulmeve më të ashpra italiane kundër Greqisë më 28 tetor të 1940-s. Mbi urë vrapuan Alpinët e Divizionit të 3 “Julia”, një prej njësive ushtarake italiane më të famshme. Trupa elitare të trajnuara në Alpet italiane dhe të sprovuara në Luftën e Parë kundër austriakëve. Alpinët e “Julias” nuk prisnin që mitralozët grekë të vendosur në majat e shkëmbinjve të hapnin zjarr duke masakruar kompani të tëra me Alpinë të cilët me kokëfortësi tentonin të kalonin urën dhe të merrnin bregun tjetër të Vjosës. Humbjet e Alpinëve në urën e Peratit ishin aq të rënda sa raportimet e kësaj beteje mbërritën si në tryezën e Duçes në Romë, ashtu edhe në Shtatmadhorinë Gjermane. Megjithë numrin e lartë të ushtarëve që u hodhën kundër frontit grek, pas disa ditë luftimesh, italianët nuk mundën të bënin përpara në këtë pjesë të frontit dhe me ardhjen e dimrit, kundërsulmi grek i shtyu italianët deri në rrethinat e Tepelenës, ku fronti mbeti i palëvizur për një kohë të gjatë. Vetëm me sulmin gjerman në prill/maj të 1941 dhe kapitullimin e ushtrisë greke, italianët mundën të avanconin në territorin grek.
Para disa kohësh, duke kërkuar një seri me shënime nga dokumentat gjermane të Luftës së Dytë, papritmas në Arkivin Amerikan të Ushtrisë gjeta një film shumë të rrallë i cili dokumentonte operacionet e Divizionit Waffen SS “Leibstandarte Adolf Hitler” në sulmin kundër Jugosllavisë dhe Greqisë. Ky Divizion, nën komandën e ish-truprojes besnike të Hitlerit që në fillesat e tij politike në 1920, Gjeneral Major Sepp Dietricht, ishte përzgjedhur për të udhëhequr këtë operacion. Divizioni “Adolf Hitler” përbëhej nga luftëtarë të përzgjedhur dhe fillesën e kishte si një truprojë personale e Hitlerit. Përveç detyrave të sigurisë, Waffen SS “Adolf Hitler” u përgatit si një njësi elitare ushtarake e cila operonte në mënyrë autonome dhe raportonte direkt në selinë e Fyhrerit.
Ditaret ushtarake të këtij Divizioni kanë detajuar të gjithë operacionin në territorin grek deri në marrjen e Akropolit të Athinës. Njësi zbuluese të tij janë futur edhe në Korçë dhe kanë përshkruar situatën kaotike të frontit. Shënimet me interes për ne janë ato nga zona e Epirit, sidomos Janinë, Arta, Prevezë. Megjithatë, në këto shënime nuk flitet për një vizitë të Gjeneral Major Sepp Dietricht dhe Shtabit të tij në territorin shqiptar. Filmi i rrallë i arkivit amerikan, me gjasa i kapur pas Lufte në Berlin, dokumenton një vizitë të Komandantit të Divizionit Waffen-SS “Leibstandarte Adolf Hitler”, rojes personale të Hitlerit, pikërisht në urën e Peratit në Leskovik. Gjeneral Dietricht, në një makinë të hapur, shihet mes turmës së ushtarëve grekë të cilët në mënyrë kaotike kishin mbushur rrugët e Janinës dhe përshëndesnin me dorë kolonën e vogël gjermane. Gjenerali mbërrin mbi urën e Peratit ku pritet me nderime ushtarake nga Gjeneral Rossi, komandanti i Trupave Alpine dhe Shtabi i tij. Pas ceremonisë dhe këqyrjes së hartave, shikohet Gjeneral Dietricht me një gotë në dorë, i cili me sa duket ngre një dolli për Shtabin Italian. Gjeneral Rossi dhe oficerët e tjerë me helmeta në kokë janë të qeshur, edhe pse për gati 6 muaj kishin mbetur mbërthyer në terrenin shqiptar pa mundur të çanin frontin grek. Ky film i shkurtër ka një rëndësi shumë të madhe historike pasi dokumenton një vizitë me rëndësi në ngjarjet e Luftës së Dytë Botërore. Komandanti i Divizionit Waffen-SS “Leibstandarte Adolf Hitler”, një nga njerëzit më të afërt të liderit gjerman, qëndron në këtë urë modeste prej guri mbi Lumin e Sarandaporit. Ndërkohë, me rëndësi historike është edhe fakti se të gjitha filmimet dhe fotografitë propagandistike të Divizionit “Adolf Hitler” gjatë fushatës së Greqisë janë bërë nga fotografi personal i Hitlerit, Heinrich Hoffman, i cili qëndroi pranë Fyhrerit gjerman gjatë të gjithë karrierës së tij politike deri në rrëzimin e Rajhut.
Ndërkohë, ura e Peratit nuk është më. Këmbët e saj i ka mbuluar vegjetacioni i harlisur nga uji i Lumit. Godinat e dikurshme prej guri, ku ndalonin karvanët e kuajve që sillnin mallrat tregtarë që deri përtej nga Stambolli, janë zëvendësuar nga godina betoni. Ura e re ka lehtësuar kalimin e kalimtarëve të zonës dhe turistëve të huaj, por nga historia e kësaj ure nuk ka asnjë gjurmë. Asnjë tabelë historike nuk gjendet nga ana e grekëve. Edhe pse fitues në luftë, duket se betejës së urës së Peratit nuk i kanë dhënë ndonjë rëndësi të madhe sa për të vendosur ndonjë hartë shpjeguese. Të vetmit që kujtohen për sulmin në tetorin e 1940 janë shoqatat italiane të Alpinëve; çdo shtator vijnë dhe me një ceremoni të thjeshtë kujtojnë Alpinët e vrarë në këtë vend. Së bashku me flamurin e Divizionit “Julia”, ata këndojnë edhe atë që është bërë një lloj himni për Alpinët, e cila flet pikërisht për betejën e urës së Peratit. Nga ana jonë asgjë. Asnjë shenjë apo tabelë historike, të paktën për hir të turizmit kulturor.
Imagjinoni sikur për vizitorët që futen në Shqipëri nga kjo pikë të kishte një shesh pushimi të vogël ku me skica dhe shënime të thjeshta të shpjegohej një nga ngjarjet më kulmore të Luftës Italo-Greke, Beteja e Urës së Peratit, ku një prej Divizioneve më të lavdishme të Italisë Fashiste la në fushë beteje një numër shumë të madh ushtarakësh. Ku nga kodrat e thepisura që dominojnë urën erdhi vetë Mbreti i Greqisë Jorgo, së bashku me gjeneralët e tij. Ku Operacioni Barbarosa, sulmi mbi Bashkimin Sovjetik, u shty pikërisht nga aventura ushtarake italiane dhe ku ura e vogël e Leskovikut ishte pjesë në këtë ngjarje të madhe.
I përvëluar nga vapa, kthehem tek Posta jonë. Bashkë me policët këtë herë është edhe një ish-ushtarak karriere i cili sot është pjesë e Policisë Kufitare. Shkëmbejmë ca kujtime nga shkolla e përbashkët dhe i tregoj se përse bëra ca foto në mesin e vapës përvëluese.
“Nuk e di nëse e pe” – më tha – “por edhe pllaka që kanë vendosur italianët për ushtarët e vet është dëmtuar.” Folem për respektin që Alpinët italianë tregojnë për të rënët e tyre edhe pse pjesë e një regjimi të dënuar historikisht.
“Kemi edhe ne të rënët tanë këtu” – i thashë – “por askush nuk i kujton.”
“Nuk e dija” – më tha – “edhe pse kam gjatë këtyre anëve.”
Në fakt, në urën e Peratit bashkë me alpinët italianë sulmuan edhe njësitë e Milicisë Fashiste Shqiptare. Sipas ish-shefit të Shtabit të Ushtrisë Shqiptare të kohës, Kolonel Preng Previzi, milicia fashiste kishte më shumë rekrutë nga veriu i Shqipërisë. Vetëm në Betejën e Urës, sipas dokumentave të kohës, janë vrarë gati një kompani me ushtarë shqiptarë të cilët dhanë jetën me besimin se bënin një shërbim për vendin e tyre.
Kolonel Previzi, edhe pse dukshëm i distancuar prej tyre në vlerësimin politik, i lavdëron për trimërinë e treguar në frontin e betejës.
Fatkeqësisht, akti i tyre është zhdukur nga librat e historisë shqiptare. Të injoruar totalisht nga periudha komuniste, të harruar nga historia e post-’90, emrat e tyre mund të gjenden vetëm në arkivat e ushtrisë italiane.
Shqipëria i ka mohuar me kohë dhe në urën e zhdukur të Peratit nuk ka asnjë shenjë mbi pjesëmarrjen e këtyre malësorëve shqiptarë në frontin Italo-Grek.
Vapa të merr frymën dhe gjinkallat janë në kulmin e tyre.
Fotot nga Arkivi Italian, Gjerman, Instituti Luce, arkiv privat.
Top Channel