
“Roli dhe detyrat e Nëpunësit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale” ishte tema e aktivitetit të zhvilluar nga Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale me përfaqësues të institucioneve të sektorit publik.
Aktiviteti kishte për qëllim përshkrimin e detajuar mbi rolin dhe përgjegjësitë e DPO-ve, në zbatim të ligjit të ri 124/2024 “Për Mbrojtjen e të Dhënave Personale”.
Komisioneri z. Besnik Dervishi, në fjalën e hapjes theksoi se përcaktimi i Nëpunësve për Mbrojtjen e të Dhënave Personale është detyrim ligjor si për sektorin publik, ashtu edhe privat, të cilët duhet të caktojnë një person përgjegjës që do të mbajë këtë detyrë të rëndësishme.
Dervishi theksoi se çdo kontrollues dhe përpunues, duhet të sigurojë që veprimtaria e tij të ushtrohet në përputhje me kërkesat e legjislacionit për mbrojtjen e të dhënave personale, si dhe të marrë masat e nevojshme për zbatimin e detyrave të specifikuara në ligjin nr. 124/2024. Ai shtoi më tej se roli i këtij nëpunësi nuk është më thjesht formal, por me një rëndësi të veçantë në zbatimin e kërkesave ligjore e për këtë arsye do të zhvillohen fushata trajnimi dhe ndërgjegjësimi të vazhdueshme.
Gjithashtu Komisioneri Dervishi informoi se pranë zyrës që ai drejton me Vendim të Këshillit të Ministrave do të krijohet Regjistri Elektronik i Nëpunësve të Mbrojtjes së të Dhënave Personale, i cili do të përmbajë të dhëna për çdo Nëpunës të caktuar nga kontrolluesit dhe përpunuesit.
Drejtoresha e Përgjithshme për Mbrojtjen e të Dhënave Personale znj. Pjerina Mema, bëri një përshkrim më të detajuar të këtij detyrimi ligjor, konkretisht për kriteret e përzgjedhjes së DPO-ve, detyrat e tyre, krijimin e rrjetit të këtyre nëpunësve si dhe pavarësia dhe shmangia e konfliktin të interesit brenda autoritetit.
Të pranishmit parashtruan pyetjet e tyre lidhur me mënyrën e ushtrimit të këtij funksioni si dhe sfidat që mund të hasen në praktikë lidhur me ushtrimin e këtij funksioni.
Ligji nr. 24/2024 “Për Mbrojtjen të Dhënave Personale” është një ligj tërësisht i përafruar me Rregulloren e Përgjithshme për Mbrojtjen e të Dhënave Personale të Bashkimit Europian 2016/679 (GDPR), duke sjellë risi në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes së të dhënave personale.
Top Channel