
Suel Çela vazhdon të jetë i pakapshëm nga autoritete, por jo pasuritë e tij. Një hetim italo-shqiptar, mbajtur në Verona ka zbuluar asete me vlerë 4 milionë euro të dyshuara se u krijuan nga paratë e kokainës që dërgohej në Europë nga Amerika e Jugut.
Hetimi financiar në Verona vlerëson të pajustifikuara dhe ndaj u vendosën nën sekuestro preventive një listë prej 30 dyqanesh, një vilë dhe llogaritë bankare ku depozitoheshin qiratë e tyre me një vlerë vjetore prej 400 mijë euro si edhe një shoqëri që funksiononte në fushën e ndërtimit në shtetin Italian.
Si çelës për hetimet ishte shoqëria e pasurive të paluajtshme në Itali tek e cila depozitoheshin përmes bankave milionat që dërgoheshin nga Shqipëria. Ka rezultuar shpjegon SPAK se paratë transferoheshin nga organizata kriminale që përdorte një shoqëri tregtare në Shqipëri si urë kalimi, një subjekt që ishte nën pronësi të Suel Çelës dhe të të vëllait.
Të gjitha këto vlera më pas nga hetimet dyshohet se investoheshin në ndërtim në fushën e rikonstruksionit të godinave të vjetra që më pas jepeshin me qira. Skema e qarkullimit të parave të pista dhe pastrimit të tyre zbuloi edhe një çift bashkëshortësh në Itali, që ishin të besuarit e vëllezërve Çela.
SPAK thotë se edhe çifti rezulton në listat e pagesave të organizatës kriminale, ndërkohë që Suel Çela vazhdon ende në kërkim për një sërë akuzash të rënda dhe ndaj tij rezultojnë dy masa sigurimi në mungesë.
Top Channel