Gërmime arkeologjike në kala, në Gjirokastër zbulohet një kullë guri që daton mes shekujve IV dhe VI të erës sonë

03/07/2025 15:49

Pas një mungese prej rreth 30 vitesh, arkeologët kanë rifilluar gërmimet në kalanë e Gjirokastrës për të evidentuar dëshmi të periudhave të hershme të ndërtimit të saj.

Ekspedita e Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore nisi punimet në korrik dhe do të vazhdojë përgjatë gjithë verës.

Kemi disa ditë që kemi nisur një projekt të ri arkeologjik, i cili synon të identifikojë ato pjesë më të hershme të kalasë së Gjirokastrës nisur nga disa të dhëna që ne kemi identifikuar gjatë punimeve të mëparshme restauruese që janë kryer nga Drejtoria e Monumenteve në Gjirokastër ku kemi identifikuar disa elementë arkeologjikë, të cilat na kanë bërë të mendojmë që kemi disa faza më të hershme të këtij monumenti, të kësaj kalaje kaq të rëndësishme për ne që i takojnë periudhave të mëhershme jo vetëm asaj që njohim sot”, u shpreh arkeologu Mareglen Meshini.

Kërkimet janë fokusuar pranë hyrjes kryesore të kalasë, ku janë zbuluar fragmentet e një kulle guri që daton në shekujt IV–VI të erës sonë.

Aktualisht jemi në hyrje të kalasë së Gjirokastrës ku është faza e dytë që ne punojmë në këtë pjesë pas një sondazhi të realizuar disa muaj më parë, jemi duke punuar për të identifikuar atë që ne supozojmë që është një nga kullat e kalasë, kullat e vjetra që mendojmë se i përket shekullit të IV–VI e.s pra janë gjurmë që nuk janë identifikuar në këtë monument“, tha arkeologu.Kalaja përmendet për herë të parë në dokumente osmane të vitit 1336, por studimet arkeologjike tregojnë se ajo ka rrënjë më të hershme, që shtrihen në periudhën para-romake dhe bizantine. Ndërtimet e hershme përforcojnë pozicionin strategjik të kalasë në kodrinat mbi qytetin, duke kontrolluar rrugët që lidhin jugun e Shqipërisë me juglindjen dhe Epirin.

Në shekullin XIX, Ali Pashë Tepelena e rindërtoi dhe forcoi fortifikimin në mënyrë të konsiderueshme, duke e kthyer në një nga kështjellat më të fortifikuara në Ballkan. Përveç evidentimit të gjetjeve, ekspedita synon edhe përmirësimin e ofertës turistike të kalasë.

Shtojmë edhe disa elementë të tjerë për turistët që vijnë, për vizitueshmërinë, për vizitorë të ndryshëm, për të shtuar edhe disa atraksione të tjera brenda kalasë së Gjirokastrës dhe pse jo dhe me të vërtetë janë pjesët më të hershme dhe më interesante të kalasë“, tha arkeologu.

Kalaja e Gjirokastrës mbetet monumenti më i vizituar në Shqipëri dhe një pikë qendrore për aktivitetet kulturore kombëtare dhe ndërkombëtare. Zbulimet e reja theksojnë rëndësinë e vazhdimit të kërkimeve shkencore për ruajtjen dhe valorizimin e këtij siti me vlera të jashtëzakonshme historike dhe strategjike.

Top Channel