
Lajmi tronditës për ndarjen nga jeta të Diogo Jotës, sulmuesit të kombëtares portugeze dhe Liverpoolit, ka shkaktuar një valë reagimesh të thella nga bota e futbollit, përtej çdo kufiri apo rivaliteti sportiv.
Pas konfirmimit zyrtar të tragjedisë, klubet më të mëdha të Premier League, përfshirë Manchester United, Manchester City, Chelsea, Arsenal, Tottenham e Everton, kanë shprehur solidaritet dhe respekt të thellë për jetën dhe karrierën e sulmuesit 28-vjeçar.
Njësoj kanë reaguar edhe gjigantë të futbollit evropian, si Paris Saint-Germain, Real Madrid, Barcelona, Milan dhe Inter, duke bashkuar zërat në një mesazh të përbashkët dhimbjeje dhe nderimi për figurën e Jotës.
Ish-klubet e tij – Wolverhampton, Atlético Madrid dhe FC Porto – kanë qenë ndër të parët që kanë reaguar, duke kujtuar kontributin dhe personalitetin e lojtarit, që la gjurmë kudo ku luajti.
Në këtë homazh global janë bashkuar edhe legjenda të futbollit botëror, nga Steven Gerrard, Rio Ferdinand, Jamie Carragher, madje dhe LeBron James të cilët kanë ndarë mesazhe të ndjera për futbollistin e ndjerë, duke e cilësuar humbjen e tij si një tronditje të thellë për sportin dhe njerëzimin.
Ndërkohë, mesazhet për ngushëllim dhe mbështetje për familjen e Jotës kanë pushtuar rrjetet sociale, duke treguar se futbolli është shumë më tepër se një lojë – është një komunitet që bashkohet në dhimbje.
Top Channel