Foto/ Alarm në Kretë! Ishulli grek përfshihet nga flakët, evakuohen banorët dhe turistët

03/07/2025 09:13

Për të dytën ditë radhazi, ishulli grek i Kretës po përballet me zjarre të fuqishme që kanë përfshirë komunën e Ierapetrës, në juglindje të ishullit, në provincën e Lasithit.

Flakët, të ushqyera nga erëra të forta që fryjnë në zonë, janë përhapur me shpejtësi dhe aktualisht janë ndarë në tre vatra aktive, përkatësisht në zonat Ferma, Achlia dhe Schinokapsala.

Autoritetet kanë urdhëruar evakuimin e hoteleve dhe banesave në zonat e rrezikuara. Qindra turistë dhe banorë janë larguar përmes korridoreve të sigurta të përcaktuara nga autoritetet vendore. Ndërkohë, shërbimet mjekësore janë vendosur në gjendje gatishmërie të lartë.

Një pjesë e personave të evakuuar kaluan natën në palestrën sportive të mbuluar të Ierapetrës, e cila është vënë në dispozicion për strehim të përkohshëm. Tetë ambulanca janë në terren dhe deri më tani kanë transportuar në spitalin e përgjithshëm të Ierapetrës gjashtë persona: tre me probleme në frymëmarrje, dy me lëndime të lehta dhe një qytetar me probleme në lëvizje.

Operacioni për shuarjen e zjarrit vijon me intensitet, ku po përdoren mjete tokësore dhe ajrore. Për të përballuar situatën, janë dërguar përforcime edhe nga Athina. Pavarësisht ndërhyrjes masive, puna e zjarrfikësve mbetet tejet sfiduese për shkak të erërave të fuqishme dhe terrenit të thepisur.

Autoritetet greke po bëjnë thirrje për vigjilencë të lartë dhe bashkëpunim nga ana e qytetarëve dhe turistëve që ndodhen në zonë.

FOTO GALERI
1/8
@Ansa

Top Channel