Zbutet Musk, miliarderi amerikan vlerëson Trump për zgjidhjen e konflikteve botërore

02/07/2025 11:09

Në një zhvillim të papritur duke pasur parasysh marrëdhëniet e tensionuara të kohëve të fundit midis të dyshes, Elon Musk vlerësoi sot Donald Trump për ndërhyrjet e tij në krizat dhe luftërat globale.

Duke komentuar postimin e presidentit amerikan në mëngjes, ku njoftoi se Izraeli kishte “rënë dakord” të finalizonte kushtet për një armëpushim dy-mujor me Hamasin, manjati i teknologjisë pranoi se Trump me të vërtetë ka zgjidhur “disa konflikte serioze në të gjithë botën”.

“Izraeli ka rënë dakord për kushtet e nevojshme për të finalizuar një armëpushim 60-ditor, gjatë të cilit ne do të punojmë me të gjitha palët për t’i dhënë fund luftës”, tha presidenti republikan i SHBA-së nëpërmjet Truth Social, ndërsa njëkohësisht kërkoi që Hamasi të pranojë propozimin “përfundimtar”, sipas tij.

“Shpresoj, për të mirën e Lindjes së Mesme, që Hamasi ta pranojë këtë marrëveshje, sepse situata nuk do të përmirësohet, ajo vetëm do të përkeqësohet”, shtoi ai.

Vendimi i Musk për të komentuar pozitivisht është i habitshëm për, pasi tensionet kanë mbizotëruar përsëri në 24 orët e fundit në marrëdhëniet midis tyre. Themeluesi i Teslës ka përshkallëzuar kritikat e tij ndaj projektligjit të buxhetit të promovuar nga presidenti i SHBA-së, duke paralajmëruar se do të krijojë partinë e tij nëse miratohet.

Nga ana e tij, Trump u kundërpërgjigj dje, duke thënë se do të “shqyrtojë” dëbimin e Muskut, pasi më parë tha se Komisioni i Efikasitetit të Qeverisë të cilin Musk e kryesoi për katër muaj, mund të ulë subvencionet për bizneset e tij.

Musk, i cili u tërhoq nga qeveria për t’u përqendruar në bizneset e tij, veçanërisht tek Tesla, ankohet se projektligji i buxhetit i Trump do ta rriste limitin e borxhit me 5 trilionë dollarë.

“Elon mund të jetë duke marrë shumë më tepër subvencione se çdo qenie njerëzore në histori, dhe pa subvencione, ai ndoshta do të mbyllë bizneset dhe të shkojë në shtëpi në Afrikën e Jugut”, shkroi Trump më herët në Truth Social.

Top Channel