Tragjike në SHBA! Punëtori humb jetën në fabrikën e drithërave, pasi mbeti i bllokuar në një nga furrat e kompanisë

02/07/2025 09:57

Një tragjedi e papërshkrueshme ndodhi të enjten e kaluar në fabrikën e drithërave Glister Marylee në Missouri të SHBA-së, pasi një punëtor 38-vjeçar humbi jetën në një mënyrë të tmerrshme brenda një furre industriale.

Nicolas Lopez Gomez dyshohet se po pastronte pjesën e jashtme të furrës kur në rrethana të panjohura u bllokua brenda makinerisë.

Kolegët e tij, të tmerruar, thirrën menjëherë shërbimet e emergjencës. Por kur ekipet e shpëtimit mbërritën në vendngjarje, ishte tashmë tepër vonë. Në më pak se 20 minuta, Gomez  u nxor i pajetë nga makineria.

Autoritetet lokale sqarojnë se furra nuk ishte në funksion në kohën e incidentit dhe se nuk ka shenja të ndonjë veprimi të qëllimshëm. Mbetet e paqartë se çfarë lloj lëndimesh shkaktuan vdekjen e punëtorit.

Fabrika Glister Marylee është e njohur për prodhimin e drithërave që furnizojnë zinxhirë të mëdhenj marketesh amerikane si Walmart, Sam’s Club dhe Albertsons.

Ky rast i tmerrshëm vjen vetëm tetë muaj pas një tragjedie të ngjashme në Kanada, ku një punonjës 19-vjeçar u gjet i vdekur brenda një furre buke brenda një dyqani Walmart në Halifax.

Gursimran Kaur kishte qenë e zhdukur për më shumë se një orë kur nëna e saj, e shqetësuar për mungesën e vajzës, shkoi në departamentin e furrës për ta kërkuar. Atje, një punonjës vuri re një “rrjedhje” të pazakontë që vinte nga furra. Nëna e Kaur hapi derën e furrës dhe u trondit kur pa trupin e djegur të vajzës së saj.

Dyqani u mbyll menjëherë dhe nisi një hetim policor. Megjithatë, pas muajsh hetime, autoritetet njoftuan se nuk kishin dalë prova për aktivitet kriminal.

Walmart Canada, nga ana e saj, shprehu ngushëllimet e saj. “Mendimet tona më të thella janë me familjen dhe bashkëpunëtorët tanë ndërsa ata vazhdojnë të vajtojnë”, tha zëdhënësja e kompanisë Amanda Moss për USA Today.

Dy tragjeditë, megjithëse ndodhën në vende dhe kontekste të ndryshme, kanë një emërues të përbashkët, mungesën e protokolleve të qarta të sigurisë ose të paktën dështimin për t’i zbatuar ato, gjë që e risjell në plan të parë çështjen e përjetshme të mbrojtjes së jetës njerëzore në vendin e punës.

Top Channel